KUMANOVË

Blerim Hyseni: Maksim Dimitrievski po shkatërron bashkëjetesën në Kumanovë!

Në emër të grupit të këshilltarëve të Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI) në Komunën e Kumanovës, Blerim Hyseni, ka reaguar ashpër ndaj veprimeve të fundit të kryetarit të komunës, Maksim Dimitrievski, duke e akuzuar atë për provokim të hapur dhe cenim të drejtpërdrejtë të bashkëjetesës ndëretnike, informon tvfesta.mk

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Hyseni ka ngritur shqetësimin për injorimin e vazhdueshëm të kërkesave të shqiptarëve nga ana e udhëheqësisë komunale, si dhe për shfaqjen e simboleve me prapavijë të qartë nacionaliste.

“Tre gishtërinjtë” dhe shpërblimi i tifozëve me thirrje antishqiptare

Sipas Hysenit, shfaqja e kryetarit me simbole të nacionalizmit serb (“tre gishtërinjtë”) përbën një akt të papranueshëm për komunitetin shqiptar në Kumanovë, përcjellë tvfesta.

Gjithashtu, ai ka denoncuar ndarjen e mirënjohjeve komunale, ku nga 35 persona të nderuar, nuk kishte asnjë shqiptar. Shqetësimi bëhet edhe më i madh me faktin se mes të shpërblyerve janë përfshirë edhe anëtarët e grupit të tifozëve “Kumani”, të cilët në një ndeshje basketbolli një vit më parë patën brohoritur thirrje skandaloze antishqiptare (“Shqiptari i vdekur është shqiptar i mirë”).

“Kumanova ka nevojë për barazi, jo për provokime”

Siç raporton Tv Festa, këshilltari i AKI-së ka nëvizuar se si përfaqësues komunal nuk mund të heshtë përballë kësaj qasjeje që hap plagë dhe nxit ndarje.

“Kumanova nuk ka nevojë për provokime, ndarje dhe simbole që hapin plagë, ka nevojë për respekt, barazi dhe përgjegjësi. Nëse dikush mendon se duke provokuar shqiptarët po forcon Kumanovën, duhet ta dijë një gjë: po luan me atë që Kumanova ka më të çmuar, bashkëjetesën e saj,” ka përfunduar Hyseni, duke nëvizuar se veprime të tilla u bëjnë dëm të gjithë qytetarëve pa dallim/tvfesta