SPORT

Xhemail Zeqiri emërohet ndihmëstrajner i përfaqësueses së Maqedonisë U21

Ish-portieri i njohur kumanovar, Xhemail Zeqiri, nis një kapitull të ri në karrierën e tij futbollistike. Me vendim të Federatës së Futbollit të Maqedonisë (FFM), Zeqiri është emëruar zyrtarisht ndihmës seleksionues i përfaqësueses U21 të Maqedonisë së Veriut, ku do të punojë krah seleksionuesit Aleksandar Tanevski, informon tvfesta.mk

Kjo emërim vjen si një vazhdimësi e punës së tij në ekipet kombëtare, pasi nga marsi i këtij viti Zeqiri kryente detyrën e ndihmës seleksionuesit te përfaqësuesja U20 e Maqedonisë së Veriut.

Zeqiri është një emër me renome dhe përvojë të madhe në futbollin vendor e rajonal. Gjatë karrierës së tij të pasur mes shtyllave, ai ka mbrojtur ngjyrat e shumë klubeve të njohura, si KF Kumanova, Prishtina, KNI “Ramiz Sadiku”, Liria, Drita e Gjilanit, Ballkan Stokokomerc, Cementarnica, Shkëndija e Haraçinës, KF Milano Kumanovë e mjaft skuadra të tjera.

Në këtë sfidë të re, përvoja e tij shumëvjeçare do të jetë në shërbim të gjeneratës së re. Me përkushtim dhe punë profesionale, Zeqiri synon të japë një kontribut të çmueshëm në zbulimin, përgatitjen dhe zhvillimin e talenteve të rinj, të cilët pritet të jenë e ardhmja e futbollit përfaqësues./tvfesta