Kopsht i ri për fëmijë në lagjen “Zelen Rid” do të ndërtohet me mjete që Komuna e Kumanovës do t’i marrë nga Qeveria përmes thirrjes së tretë për projekte infrastrukturore në komuna.
Edhe pse më parë u njoftua se projekti do të dorëzohej në thirrjen e dytë, për shkak të problemeve teknike Komuna nuk arriti të aplikonte me kohë.
„Problemi me projektin është zgjidhur. Është lëshuar leja e ndërtimit dhe po presim thirrjen nga Qeveria për të aplikuar. Kemi premtim se në thirrjen e radhës projekti do të aprovohet. Për shkak të një nënshkrimi për një zgjidhje teknike nga ana e një zyrtari, në thirrjen e kaluar nuk u aplikua me kohë; bëhej fjalë për një projekt për mbrojtjen nga zjarri dhe u luajt ‘ping-pong’ mes dy institucioneve shtetërore“, deklaroi kryetari i komunës, Maksim Dimitrievski.
Projektin për kopshtin e ri e ka punuar Ndërmarrja Publike „Kumanovo-Plan“. Objekti do të vendoset midis rrugës „Vasko Karangeleski“ dhe rrugës rajonale Kumanovë–Sveti Nikollë, në lagjen „Zelen Rid“. Ai do të ketë një sipërfaqe prej 4.797 metrash katrorë dhe një kapacitet për 382 fëmijë.
Sipas projektit, kopshti do të ketë hapësira të ndara për fëmijët e grupmoshave të ndryshme, si dhe dhoma të hapura qëndrimi. Objekti do të jetë në dy nivele, me ashensor dhe me një kënd lojërash për fëmijë në pjesën e jashtme.
Ndërkohë, Komuna, në bashkëpunim me Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale dhe Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, do të përpiqet që hapësirat e lira në shkollat fillore t’i përshtatë në qendra ditore për qëndrimin e nxënësve, me çka do të rriteshin më tej kapacitetet për kujdesin ndaj fëmijëve./tvfesta.mk

