MAQEDONI

Izet Mexhiti: Nënshkruam Memorandumin e Bashkëpunimit ndërmjet Komunës së Çairit dhe Universitetit “Nënë Tereza”

Sot nënshkruam Memorandumin e Bashkëpunimit ndërmjet Komunës së Çairit dhe Universitetit “Nënë Tereza”, duke bashkuar ekspertizën profesionale dhe përgjegjësinë institucionale për një nga prioritetet më të rëndësishme – shëndetin dhe zhvillimin e fëmijëve tanë.
Në kuadër të platformës “Çairi në ritmin e shëndetit”, në shkollat e Komunës së Çairit do të organizohen ligjërata dhe aktivitete profesionale, përmes të cilave fëmijët do të informohen dhe ndërgjegjësohen për rëndësinë e qëndrimit të drejtë, mënyrën e duhur të mbajtjes së çantës shkollore dhe rolin e aktivitetit fizik në një rritje dhe zhvillim të shëndetshëm.

Qëllimi ynë është që kujdesi për shëndetin të nisë në kohë – para se të shfaqet problemi. Fëmijët duhet të fitojnë jo vetëm dije në bankat shkollore, por edhe shprehi të shëndetshme që do t’i shoqërojnë gjatë gjithë rritjes dhe zhvillimit të tyre.

Sepse investimi më i mirë në shëndet është ai që bëhet në kohë – për një fëmijëri më të shëndetshme dhe një të ardhme më të mirë.