KUMANOVË

Pensionohen Selime Bilalli, Enver Abazi dhe Ramadan Murati – një kapitull mbyllet në SHFK „Jeronim De Rada“!

Pas dekadash të plota përkushtimi, mundi dhe dashurie për dritën e dijes, tre prej mësimdhënësve më të dalluar të Shkollës Fillore Komunale “Jeronim De Rada” në fshatin Çerkez të Kumanovës, Selime Bilalli, Enver Abazi dhe Ramadan Murati, i kanë dhënë fund karrierës së tyre profesionale, duke dalë në pension.

Treshja e respektuar ka lënë pas një histori të pasur suksesi, duke u shndërruar ndër vite në shtyllat kryesore të këtij institucioni arsimor. Ata kanë edukuar dhe përgatitur për jetën breza të tërë nxënësish, ndërsa për kolegët dhe drejtorinë e shkollës do të mbeten përgjithmonë emra sinonim i profesionalizmit dhe shembull i palëkundur i përkushtimit ndaj misionit të shenjtë të mësuesisë.

Në një njoftim zyrtar nga ky institucion arsimor, drejtoria dhe stafi kanë shprehur mirënjohjen e thellë për kontributin e jashtëzakonshëm që Selime Bilalli, Enver Abazi dhe Ramadan Murati kanë dhënë ndër vite. Duke e vlerësuar lart punën e tyre palodhëse, nga shkolla kanë theksuar se pensionimi nuk përbën fundin e një rrugëtimit, por përkundrazi, hapjen e një kapitulli të ri jetësor, duke lënë pas një trashëgimi vlerash që do të kujtohet gjatë në Kumanovë.