Veprimtari dhe pishtari i arsimit shqip në Kumanovë, Etem Xheladini, ka kujtuar ngjarjet historike të 29 gushtit të vitit 1988, duke e cilësuar këtë datë si një dëshmi të fuqishme të qëndresës, guximit dhe sakrificës së rinisë, prindërve dhe punonjësve të arsimit për të mbrojtur të drejtën themelore të mësimit në gjuhën amtare, transmeton tvfesta.mk
Përmes një mesazhi sensibilizues, Xheladini ka theksuar se përballja me pushtetin komunist të asaj kohe ishte një akt historik kundër një sistemi represiv që tentoi të mbyllte arsimin e mesëm në gjuhën shqipe.
Sakrifica përballë represionit të pushtetit
Në reagimin e tij, Xheladini rikujton se gjatë asaj periudhe mbi 1,500 qytetarë shqiptarë u maltretuan nëpër zyrat e policisë, qindra prej tyre u dënuan me nga dy muaj burg, ndërsa dhjetëra të tjerë pësuan dënime me vite burgimi vetëm pse morën pjesë në mbrojtje të arsimit shqip.
“Rinia dhe popullata e Kumanovës e Likovës nuk u dorëzuan kurrë. Në rrugët dhe sheshet e qytetit u dëgjua zëri i një gjenerate që refuzoi padrejtësinë, duke kërkuar diçka të thjeshtë por madhështore: të drejtën për të mësuar në gjuhën amtare”, shprehet Xheladini.
Nga sakrifica e vitit 1988 te ngritja e institucioneve sot
Ai potencoi se të gjitha arritjet e sotme arsimore në Kumanovë – përfshirë gjimnazet, shkollat e mesme teknike, ekonomike, bujqësore, mjekësore, si dhe hapjen e arsimit universitar me Fakultetin e Administrimit të Biznesit në vitin 2008 – janë rezultat i dekadave të tëra sakrifice.
Mesazhi për brezat e rinj: Mos e harroni të kaluarën
Në përmbyllje, Etem Xheladini apelon që dëshmitë dhe fotografitë e 29 gushtit 1988 të mos shihen vetëm si arkivë e së kaluarës, por si një amanet për brezat e sotëm dhe të ardhshëm.
“Ajo që sot duket e zakonshme, dikur ishte ëndërr për të cilën u rrezikua liria. Arsimi në gjuhën amtare është identitet dhe themel i dinjitetit kombëtar. Një popull që e respekton të kaluarën e tij, e ndërton më me siguri të ardhmen”, përfundon Xheladini./tvfesta

