“Mes kaosit dhe flakëve, së bashku me zjarrfikësit e Qytetit të Shkupit arritëm të shpëtonim një viç të vogël, i cili kishte mbetur i bllokuar në terrenin e përfshirë nga zjarri. I vogël, i frikësuar, por i gjallë – një fitore e vogël në një ditë të vështirë”, shkroi në profilin e tij në Facebook drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza, Muhamed Ali.
Historia e viçit të vogël në shikim të parë duket emocionuese dhe mbresëlënëse. Megjithatë, një kërkim i shkurtër në internet zbulon se bëhet fjalë për një fotografi dhe histori nga një ngjarje tjetër, e ndodhur në Kaliforni në vitin 2020, të cilën drejtori i QMK-së e paraqiti si histori nga zjarret në Paligrad.
Historia e viçit Sharlin është e vërtetë, por nuk lidhet me zjarret e fundit në Maqedoni. Më 9 shtator 2020, portali Agriculture.com publikoi historinë dhe fotografinë me titull: “Mrekulli: Viçi i mbijeton zjarrit të fuqishëm në Kaliforni”.
Në tekst përshkruhet se si fermerja Kaskarina e gjeti viçin në një arë të përfshirë nga zjarret.
“Isha e tronditur”, kishte treguar ajo. “Kur e ngrita, ishte ende i mbuluar me mbetjet nga lindja, ndërsa toka ishte e lagur nga procesi i lindjes. Qerpikët i kishte të djegur. Vetëm e shikoja me mosbesim. Nuk dija çfarë të bëja, prandaj e vendosa në mjetin me katër rrota dhe e çova në një vend të sigurt.”
Në një deklaratë për Portaliks, drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza (QMK), Ali, pranoi se fotografia me viçin nuk është realizuar në Maqedoni, por ishte përdorur si ilustrim i ngjarjes. Ai pretendon se skena e paraqitur në fotografi ishte identike me atë që, sipas tij, kishte ndodhur gjatë zjarreve në Maqedoni.
“Pra, ne dje patëm këtu një ngjarje të njëjtë. Unë isha në vendin e ngjarjes, te zjarri. Askush nuk ma dërgoi fotografinë, unë isha atje, në vendngjarje. Isha me zjarrfikësit dhe e pamë atë skenë. Nuk bëra fotografi, sepse nuk jam pas fotografive. Fotografia nuk është nga zjarri, por ngjarja është e tillë. Ne e shpëtuam viçin dhe më pas e mori bariu. Ngjarja është e njëjtë. Aty nuk shkruan se fotografia është bërë në vendin e ngjarjes”, thotë Ali.
Pasi “Portaliks” publikoi se fotografia nuk ishte nga zjarret në Maqedoni, Ali e fshiu foton, e korrigjoi edhe statusin e tij të publikuar fillimisht në Facebook, duke shtuar sqarimin se fotografia ishte ilustruese. (Portalix.mk)

