Edhe sivjet Kumanova do të jetë në qendër të jetës teatrore dhe kulturore me edicionin e tretë të Festivalit Ballkanik të Teatrit KU-FEST, i cili do të mbahet nga 31 gushti deri më 5 shtator.
Përgjatë gjashtë ditëve, publiku do të ketë mundësi të ndjekë gjashtë shfaqje teatrale nga katër shtete pjesëmarrëse: Maqedonia e Veriut, Kosova, Bullgaria dhe Serbia. Festivali synon të krijojë një hapësirë të përbashkët për artistët e skenës, shkëmbimin kulturor dhe promovimin e teatrit bashkëkohor në rajon.
Edicioni i tretë i KU-FEST sjell një program të pasur, i cili përveç shfaqjeve teatrale do të përfshijë edhe dy mbrëmje muzikore, duke e shndërruar festivalin në një festë të artit dhe kulturës.
Një nga aktivitetet e veçanta të këtij edicioni është ligjërata për fëmijë me temën “Magjia e Teatrit dhe ndikimi i tij tek fëmijët”, e cila synon t’i afrojë të vegjlit me botën e teatrit dhe të nxjerrë në pah rëndësinë e artit skenik në zhvillimin dhe edukimin e tyre.
Hapja e festivalit, më 31 gusht, do të shoqërohet me performancën muzikore të Nezafete Shalës dhe Melodia e Vjetër, ndërsa nata përmbyllëse do të kurorëzohet me ndarjen e çmimeve për më të mirët e edicionit të tretë. Si dhe me performancë të këngëtarit Shpend Latifi.
Në edicionin e tretë të KU-FEST do të ndahen gjithsej shtatë çmime, përmes të cilave do të vlerësohen shfaqjet dhe artistët më të spikatur të festivalit:
Çmimi për Shfaqjen më të MirëÇmimi për Regjinë më të MirëÇmimi për Aktorin dhe Aktoren më të Mirë në Rol DytësorÇmimi për Aktorin dhe Aktoren më të Mirë në Rol KryesorÇmimi për Aktorin më të Mirë të Festivali që është edhe çmimi Special “Sefedin Nuredini”
Për vlerësimin e shfaqjeve do të kujdeset një juri profesionale, e përbërë nga personalitete të njohura të medias dhe artit skenik: Leunora Kaliqi, kryeredaktore dhe redaktore përgjegjëse e MRT2; Zejadin Murtezi, aktor; dhe Robert Ristov, aktor, regjisor dhe producent.
KU-FEST synon që edhe përmes këtij edicioni të forcojë bashkëpunimin kulturor ndërmjet vendeve të Ballkanit dhe të ofrojë për publikun e Kumanovës një program cilësor, me teatër, muzikë dhe aktivitete edukative për të gjitha gjeneratat.
31 gusht – 5 shtator | Kumanovë | KU-FEST – Edicioni III./KultPlus.com

