Ndërtimi i autostradës Shkup–Bllacë pritet të përfundojë brenda katër viteve, me një gjatësi totale prej rreth 12 kilometrash, ndërsa projekti financohet përmes Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), me grant prej 30,8 milionë euro dhe kredi prej 167,6 milionë euro njofton INA.
Për shkak të terrenit të vështirë në shpatet e Malit të Zi të Shkupit, projekti parasheh ndërtimin e pesë tuneleve, nëntë urave, 11 nënkalimeve, katër galerive dhe nëntë mureve mbajtëse për stabilitetin e trasesë.
Sipas drejtorit të Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, Koce Trajanovski, tashmë janë përzgjedhur konsulenti dhe realizuesi i projektit, ndërsa mbikëqyrja është në fazë vlerësimi. Punimet ndërtimore pritet të nisin në muajin gusht të këtij viti.
Ndërtimin e seksionit të dytë të autostradës, në gjatësi prej 10,5 kilometrash, do ta realizojë një konsorcium i udhëhequr nga kompania vendore “Granit”. Së bashku me 1,5 kilometrat e ndërtuara më herët, gjatësia totale e autostradës do të arrijë në 12 kilometra, me gjerësi prej 27 metrash.
Autostrada Shkup–Bllacë konsiderohet një aks i rëndësishëm rrugor që lidh Maqedoninë e Veriut me Kosovën dhe më gjerë me rajonin, duke lehtësuar qarkullimin e qytetarëve dhe mallrave.
Projekti është pjesë e korridorit strategjik që lidh Maqedoninë e Veriut me Kosovën dhe Malin e Zi. Në anën kosovare, autostrada “Arbën Xhaferi” nga Prishtina deri në pikën kufitare Bllacë është përfunduar dhe është në funksion.
Sipas autoriteteve, ky korridor pritet të ketë rëndësi të madhe ekonomike, duke krijuar mundësi më të shpejta lidhjeje me portin e Barit dhe duke forcuar qarkullimin tregtar në rajon.

