Më 5 qershor, Bashkimi Demokratik për Integrim shënon 24-vjetorin e themelimit të tij. Në politikën shqiptare në Maqedoninë e Veriut, kjo nuk është një shifër e zakonshme. Përkundrazi, është dëshmi e një qëndrueshmërie që pak subjekte politike kanë arritur ta ruajnë. Në këto dy dekada e gjysmë, shumë parti janë krijuar, janë ndarë, janë shuar ose kanë humbur peshën e tyre politike. BDI-ja, megjithatë, ka mbetur faktori kryesor politik te shqiptarët.Kjo jetëgjatësi nuk është rastësi. Gjatë këtyre viteve, partia ka kaluar sfida të shumta, ndarje të brendshme, largime figurash të rëndësishme dhe sulme të vazhdueshme politike. Megjithatë, asnjë nga ata që u larguan nuk arritën ta cenojnë seriozisht bërthamën e saj politike apo ta zëvendësojnë atë në elektoratin shqiptar. Kjo flet jo vetëm për organizimin e saj, por edhe për faktin se BDI-ja ka arritur të ndërtojë një identitet politik të dallueshëm.Nuk duhet harruar se BDI-ja lindi në një periudhë të jashtëzakonshme historike. Ajo doli nga procesi që pasoi luftën e vitit 2001 dhe Marrëveshjen e Ohrit, në një kohë kur besimi ndërmjet komuniteteve ishte i brishtë dhe kur ndërtimi i institucioneve multietnike paraqiste një sfidë të madhe. Të ulje në të njëjtën tavolinë njerëz që pak kohë më parë gjendeshin në anë të kundërta nuk ishte aspak detyrë e lehtë.Pikërisht për këtë arsye, vlerësimi i rolit të BDI-së nuk mund të bëhet duke parë vetëm rezultatin final, pa marrë parasysh rrethanat në të cilat ka vepruar. Natyrisht, partia ka përgjegjësi për sukseset dhe dështimet e saj, por po aq e padrejtë do të ishte që asaj t’i atribuohen të gjitha problemet e pazgjidhura të shqiptarëve në vend.Një nga momentet më domethënëse të kësaj periudhe ishte legalizimi i Universitetit të Tetovës në vitin 2004. Për shumë shqiptarë, ky nuk ishte thjesht një vendim administrativ. Ishte realizimi i një ëndrre kolektive, e mbrojtur me sakrifica, përballje dhe viktima. Në atë kohë ekzistonte bindja se njohja institucionale e Universitetit do të hapte horizonte të reja për gjeneratat e ardhshme. Dhe në një masë të madhe, kjo ndodhi. Sigurisht, historia e BDI-së nuk është vetëm histori suksesesh. Ka pasur gabime, lëshime dhe vendime që sot mund të vlerësohen ndryshe. Në veçanti, çështja e përzgjedhjes së kuadrove ka qenë shpesh objekt kritikash të arsyeshme. Në disa raste, pritjet e qytetarëve nuk janë përmbushur, ndërsa në të tjera, individët e zgjedhur nuk kanë qenë në nivelin e përgjegjësive që kanë marrë.Megjithatë, pavarësisht këtyre mangësive, shqiptarët vazhduan t’i besojnë BDI-së për më shumë se dy dekada. Kjo nuk ndodhi vetëm për shkak të strukturës partiake apo mekanizmave elektoralë. Ndodhi sepse një pjesë e madhe e elektoratit e identifikonte partinë me mbrojtjen e Marrëveshjes së Ohrit dhe me figurën e liderit të saj, Ali Ahmeti, i cili për vite me radhë kultivoi profilin e politikanit të kompromisit, shpesh duke marrë vendime që nuk ishin domosdoshmërisht të pëlqyera nga të gjithë. Ai u shëndrrua në një urë ku kalonin bashkëpunëtoret e tij por vetëm pas e kalonin lumin i gjenin mangësi “urës”. Sot, pas dy vitesh në opozitë, BDI-ja gjendet përballë një faze të re. Ndoshta për herë të parë pas shumë kohësh, partia ka mundësinë të reflektojë më thellë mbi vetveten, mbi gabimet e së kaluarës dhe mbi vizionin që duhet të ofrojë për të ardhmen. Opozita mund të jetë sfidë, por mund të jetë edhe mundësi.Në këtë kontekst, është interesant fakti se shumë nga kundërshtarët politikë të BDI-së flasin vazhdimisht për nevojën e “reformimit” të saj. Në politikë, rrallë ndodh që oponentët të shqetësohen kaq shumë për reformimin e rivalit të tyre. Kjo tregon se, pavarësisht rezultateve zgjedhore apo rrethanave të momentit, BDI-ja vazhdon të mbetet pika kryesore e referimit në kampin politik shqiptar.Prandaj, 24-vjetori i themelimit nuk duhet të jetë vetëm moment festimi. Ai duhet të shërbejë si pikë reflektimi. Çfarë mbetet ende e parealizuar nga Marrëveshja e Ohrit? A ka nevojë vendi për një marrëveshje të re politike që do të definonte më qartë raportet ndëretnike? A janë garantuesit ndërkombëtarë ende të gatshëm të mbështesin frymën e marrëveshjes që para një çerek shekulli premtoi një shtet më të drejtë dhe më funksional? Këto janë pyetjet që duhet të shtrohen sot.Sepse historia politike nuk matet vetëm me numrin e viteve të ekzistencës. Ajo matet me aftësinë për t’u përshtatur, për t’u reformuar dhe për t’iu përgjigjur sfidave të kohës. BDI-ja ka mbijetuar 24 vjet. Sfida e saj tani nuk është mbijetesa. Sfida është se çfarë do të përfaqësojë në 24 vitet që vijnë me gjenerata të shkolluara dhe konkurente në tregun e dijes jo vetem në Maqedoni por gjetiu nëpër Botë!

