Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka miratuar Planin Operativ për Punësim për vitin 2026, me një buxhet prej mbi 2,4 miliardë denarësh, përkatësisht më shumë se 40 milionë euro, të dedikuara për zbatimin e masave dhe programeve që synojnë rritjen e punësimit në vend.
Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësja e Qeverisë, Venera Azizi, në deklaratë për media.
“Plani Operativ është i orientuar drejt krijimit të vendeve të reja të punës, mbështetjes së sipërmarrësisë, rritjes së punësimit tek të rinjtë, gratë, personat që kanë qenë të papunë një kohë të gjatë, personat me aftësi të kufizuara dhe kategoritë e tjera të cenueshme të qytetarëve”, ka thënë Azizi.
Sipas saj, plani, i cili mori dritë jeshile në seancën e fundit qeveritare, parashikon përfshirjen e më shumë se 10.000 qytetarëve në masa dhe programe aktive të tregut të punës.
Me mbi 40 milionë euro të planifikuara, institucionet synojnë të nxisin punësimin, vetëpunësimin dhe zhvillimin ekonomik, duke ofruar mbështetje të drejtpërdrejtë për kategoritë që përballen me më shumë vështirësi në tregun e punës.

