MAQEDONI

Mustafa Dauti priti në vizitë studentët e UNT-së drejtimi dogana, shpedicion dhe sigurime në Drejtorinë e Doganave

Gjatë ditës së sotme Dauti priti studentët e Universitetit “Nënë Tereza”, nga drejtimi Dogana, Shpedicion dhe Sigurime. Ishte një vizitë shumë e veçantë dhe frymëzuese, ku pata mundësinë të ndaj me ta disa mendime dhe përvoja lidhur me rëndësinë e profesionit që ata kanë zgjedhur theksoi Dauti.

Në fjalimin e tij para studentëve, Dauti shprehu mirënjohjen dhe respektin për përkushtimin e tyre ndaj dijes dhe zhvillimit profesional. I inkurajoi që të vazhdojnë me përkushtim rrugën e tyre akademike, duke besuar në aftësitë dhe potencialin që posedojnë.

Dauti theksoi se të rinjtë dhe studentët janë e ardhmja e shtetit tonë dhe një vlerë e rëndësishme për institucionin tonë. Pikërisht përmes energjisë, dijes dhe profesionalizmit të tyre ndërtohet një administratë më e fortë dhe një shoqëri më e zhvilluar.

Mustafa Dauti bëri të ditur se gjatë kësaj vizite, studentët patën mundësinë të dëgjojnë nga profesionistë doganorë dhe të njihen me procedurat dhe funksionimin e sistemit doganor. U elaboruan dhe diskutuan një sërë çështjesh që lidhen me mënyrën e funksionimit të Doganës, procedurat doganore, sfidat me të cilat përballet institucioni ynë, si dhe tema të tjera me interes për zhvillimin e tyre profesional dhe akademik.
Studentët patën gjithashtu mundësinë të shohin nga afër rezultatet e arritura të Doganës, duke dëshmuar rolin e saj si një nga shtyllat më të forta të shtetit në mbrojtjen e ekonomisë, sigurisë dhe mbushjen e buxhetit të shtetit, si dhe në luftën kundër krimit dhe aktiviteteve të paligjshme.
Bashkëbisedimi ishte shumë konstruktiv dhe interaktiv, duke reflektuar interesimin, seriozitetin dhe përkushtimin e studentëve ndaj fushës që studiojnë.

Zëvendësdrejtori në fund tha se kjo vizitë la përshtypje shumë pozitive dhe besoj se bashkëpunime të tilla kontribuojnë në afrimin e studentëve me institucionet dhe me praktikën profesionale.