MAQEDONI

Prof.dr.Kushtrim Ahmeti në garë për rektor të Universitetit të Tetovës

Prof. dr. Kushtrim Ahmeti ka kandiduar për postin e rektorit të Universitetit të Tetovës, duke deponuar sot dokumentacionin përkatës për udhëheqjen e institucionit, mëson INA.

Ahmeti, i cili mban titullin shkencor doktor i shkencave sociale, aktualisht ushtron detyrën e dekanit të Fakultetit Filozofik pranë këtij universiteti.

Profili i tij akademik dhe menaxhues plotësohet nga përvoja e mëparshme si ushtrues detyre i rektorit, pozitë në të cilën u zgjodh në nëntor të vitit 2022. Ahmeti vlerësohet si një nga përfaqësuesit më aktivë të gjeneratës së re të akademikëve, duke dhënë një kontribut të spikatur në konsolidimin e standardeve shkencore dhe arsimore të Universitetit të Tetovës. Procesi i kandidimit të tij shënon një etapë të rëndësishme në garën për lidershipin e institucionit, me fokus në avancimin e vlerave universitare dhe kërkimit shkencor.

Deri tani kandidatura zyrtare për këtë post janë rektori i deritanishëm, prof.dr.Jusuf Zejneli dhe prof.dr.Fehari Ramadani, të cilët po ashtu janë kuadro të dëshmuara të këtij universiteti. (INA)