MAQEDONI

Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri për Çështje Evropiane, z. Bekim Sali, sot shënoi nisjen zyrtare të fushatës “Maj – Muaji i Evropës”

Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri për Çështje Evropiane, z. Bekim Sali, sot shënoi nisjen zyrtare të fushatës “Maj – Muaji i Evropës”, në një takim me ambasadorë të vendeve evropiane, partnerë ndërkombëtarë dhe përfaqësues të institucioneve vendore.

Zv/kryeministri i parë Bekim Sali njoftoi për fillimin e fushatës “Maj-Muaji i Evropës”, së bashku me ambasadorë, partner ndërkombëtar dhe miq të RMV-së.

“Sot shënuam nisjen e fushatës “Maj – Muaji i Evropës”, së bashku me ambasadorë, partnerë ndërkombëtarë dhe miq të vendit tonë.
Këtë vit vendosëm të shkojmë përtej simbolikës së një dite të vetme për Dita e Evropës, duke e kthyer gjithë muajin maj në një platformë të përbashkët për të afruar më shumë procesin e integrimit evropian me qytetarët.
Qëllimi ynë është i qartë: të zhvendosim fokusin nga aspektet teknike të negociatave drejt përfitimeve konkrete që sjell Bashkimi Evropian – më shumë mundësi për të rinjtë, zhvillim të infrastrukturës dhe mbështetje për ekonominë lokale.
Gjatë këtij muaji do të prezantojmë histori suksesi nga projekte të mbështetura nga BE, që tashmë po bëjnë ndryshim real në jetën e qytetarëve tanë.

Ky është një prioritet i të gjithë Qeverisë, në bashkëpunim me shoqërinë civile, universitetet, bizneset dhe institucionet kulturore – një përpjekje e përbashkët që synon ta bëjë procesin e “evropianizimit” më të dukshëm dhe më të ndjeshëm për secilin.
Ftoj të gjithë partnerët tanë që të jenë pjesë aktive e kësaj nisme, sepse rruga drejt Bashkimit Evropian është një rrugëtim i përbashkët”, ka deklaruar zv/kryeministri Bekim Sali.