Pas protestave të studentëve që kërkuan provimin e jurisprudencës ta japin në gjuhën shqipe, Zeqirija Ibrahimi nga koalicioni VLEN ka theksuar për Euronews Albania se gjithë debati për shqipen është hapur vetëm pas ndërrimit të pushtetit dhe kalimit të BDI-së në opozitë.
Sipas tij, në aspektin juridik asgjë nuk ka ndryshuar nga viti 2001 e deri më sot, dokumentet janë të njëjta, por tash ka interpretime të tjera dhe politizim nga opozita shqiptare, në këtë rast nga BDI, e cila nuk po e duron gjendjen e saj në opozitë.
Ibrahimi ka sqaruar se edhe atëherë kur u miratua ligji që BDI e quan “ligj për gjuhën shqipe”, ai nuk e ka bërë shqipen gjuhë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, por vetëm ka avancuar përdorimin e saj në disa fusha. “Në interpretimin ndërkombëtar të politikave gjuhësore, Maqedonia e Veriut është shtet monogjuhësor, me gjuhën maqedonase dhe alfabetin cirilik. Asnjë gjuhë tjetër nuk përmendet në mënyrë taksative, as në Kushtetutë e as në ligje”, ka theksuar ai.

