Kryeministri Hristijan Mickoski ka përgënjeshtruar akuzat e BDI-së lidhur me pretendimet se Struga do të përjashtohet nga Korridori 8, duke i cilësuar ato si dezinformata që synojnë të krijojnë pasiguri dhe tensione në opinion.
Në një deklaratë publike, Mickoski siguroi se Struga dhe rajoni përreth nuk do të mbeten jashtë lidhjes me autostradën, duke theksuar se Qeveria është e përkushtuar për zhvillim të barabartë në të gjithë territorin e vendit.
“Kjo është qeveri e gjithë territorit dhe nuk ka ndërmend askënd ta lërë të harruar”, deklaroi ai, duke përfshirë në këtë zotim edhe qytetarët e Kërçovës, Vevçanit, Debarcës dhe zonave të tjera.
Reagimi i kryeministrit vjen pas debatit të hapur në opinion publik, ku u ngritën shqetësime se ndryshimet e mundshme në projekt mund ta lënë Strugën pa dalje direkte në autostradë dhe pa lidhje funksionale me Shqipërinë. Mickoski akuzoi opozitën, veçanërisht BDI-në, si dhe një pjesë të mediave, për përhapje të narrativave që synojnë polarizim etnik rreth kësaj çështjeje.
Ai theksoi se nuk do të lejojë përçarje të tilla, duke nënvizuar se projektet infrastrukturore duhet të trajtohen si interes i përbashkët shtetëror, e jo si tema ndarëse politike apo etnike.
Sa i përket aspektit ekonomik, kryeministri vlerësoi se ndërtimi i autostradës në kuadër të Korridorit 8 ka ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen ekonomike, duke kontribuar në rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe përmirësimin e standardit të jetesës.
Duke iu përgjigjur kritikave për ecurinë e projektit, Mickoski akuzoi qeverinë e kaluar se në segmentet e Korridorit 8 dhe 10d ka realizuar kryesisht pagesa paraprake, pa punë konkrete në terren.
Një pjesë e debatit lidhet edhe me ndryshimet e mundshme në trase për shkak të kufizimeve në zonat e mbrojtura nga UNESCO. Kryeministri sqaroi se çdo vendim do të merret duke respektuar standardet ndërkombëtare, ndërsa gjatë muajit korrik pritet edhe qëndrimi përfundimtar lidhur me vlerësimin e UNESCO-s.
“Nëse ajo trajektore mbetet kontestuese, do të shqyrtojmë alternativa të tjera, por qytetarët nuk do të mbeten pa lidhje me autostradën”, theksoi Mickoski.

