Gostivar, 2 shkurt – Festivali Ndërkombëtar i Teatrove Othello (ITF Othello), një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në vend, ka mbetur pa asnjë mbështetje financiare nga Ministria e Kulturës për vitin 2026, pavarësisht se ky vit shënon edicionin jubilar -10-vjetorin e festivalit, shkruan gazeta KOHA.
Sipas reagimit zyrtar të organizatorëve, në Programin Vjetor të Ministrisë së Kulturës në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Festivali Ndërkombëtar i Teatrove Othello nuk ka përfituar asnjë mjet financiar, një vendim që cilësohet si i papranueshëm dhe i pashpjegueshëm.
Organizatorët rikujtojnë se gjatë nëntë edicioneve të deritanishme, festivali ka pritur rreth 60 trupa teatrore nga vende të ndryshme, përfshirë teatro kombëtare nga Ankaraja, Stambolli, Tirana, Prishtina, Shkupi, Sarajeva, Manastiri, si dhe Teatrin e Luftës së Sarajevës – SARTR. Në kuadër të festivalit kanë performuar dhe marrë pjesë dhjetëra artistë dhe regjisorë të njohur ndërkombëtarisht, duke e shndërruar Gostivarin në një qendër të rëndësishme të artit skenik.
Sipas të dhënave të festivalit, gjatë nëntë edicioneve janë regjistruar mbi 25 mijë spektatorë, ndërsa aktiviteti i tij ka kontribuar drejtpërdrejt në pasurimin e jetës kulturore lokale dhe në forcimin e imazhit kulturor të vendit në arenën ndërkombëtare.
“Është e patolerueshme që ngjarja më e rëndësishme kulturore e qytetit të përballet me një mosmbështetje të tillë, e cila ngre dyshime serioze për motive joobjektive, përfshirë edhe arsye politike”, thuhet në reagimin e ITF Othello.
Në këtë kontekst, organizatorët i bëjnë thirrje Ministrisë së Kulturës të japë arsyetim zyrtar dhe transparent për mosdhënien e mbështetjes financiare; të rishqyrtojë vendimin dhe të sigurojë, nëse është e mundur, mjetet e nevojshme për realizimin e edicionit jubilar të 10-vjetorit; të veprojë në mënyrë të barabartë, transparente dhe pa diskriminime politike ndaj iniciativave kulturore.
Nga Festivali Ndërkombëtar Othello theksojnë se janë të gatshëm për bashkëpunim me institucionet shtetërore në funksion të një zgjidhjeje konstruktive, ndërsa njëkohësisht ftojnë mediat dhe komunitetin kulturor që të kontribuojnë në zbardhjen e kësaj situate. (koha.mk)

