KUMANOVË

KUR SHTETI HESHTI, SHOQËRIA FOLI, SHASH-i, “NAIM FRASHËRI”, KUMNOVË-LIKOVË, MBUROJA E ARSIMIT SHQIP

Në Kumanovë–Likovë, arsimi shqip nuk mbijetoi falë politikave shtetërore, por falë ndërgjegjes kolektive, rezistencës institucionale dhe sakrificës së shoqërisë shqiptare të organizuar rreth SHASH “Naim Frashëri”, Kumanovë-Likovë. Në një kohë kur arsimi shqip u la i vetëm, kjo shoqatë u shndërrua në bastion të qëndrueshmërisë kombëtare, në zërin që e mbrojti dijen shqipe kur pushteti e diskriminoi dhe në institucionin ku arsimi shqip gjeti mbrojtje, dinjitet dhe shpresë.
Historia e arsimit shqip në Republikën e Maqedonisë së Veriut, veçanërisht në rajonin e Kumanovë–Likovë, është e pandashme nga përpjekjet e vazhdueshme për mbijetesë kulturore, gjuhësore dhe institucionale. Në këtë kontekst historik të vështirë, të shënuar nga politika diskriminuese, përjashtuese dhe shpeshherë represive ndaj arsimit në gjuhën shqipe, SHASH “Naim Frashëri”, Kumanovë–Likovë, u shndërrua në një nga zërat më të fuqishëm dhe më të qëndrueshëm të rezistencës arsimore shqiptare.
Për më shumë se tri dekada e gjysmë, çdo problem, padrejtësi apo kërcënim që rëndonte mbi arsimin shqip nuk mbetej vetëm çështje e nxënësve, mësimdhënësve apo prindërve, por shndërrohej në përgjegjësi të drejtpërdrejtë të SHASH-it “Naim Frashëri”.Kumanovë-Likovë. Në mungesë të një përkujdesjeje reale institucionale nga organet shtetërore, kjo shoqatë u detyrua të marrë mbi vete një rol që, në rrethana normale, do t’i takonte Ministrisë së Arsimit, mbrojtjen e të drejtës për arsimim në gjuhën amtare, sigurimin e kushteve minimale për funksionimin e shkollave shqipe dhe artikulimin institucional të kërkesave legjitime të komunitetit shqiptar. SHASH “Naim Frashëri”, Kumanovë-Likovë nuk ishte thjesht një organizatë formale. Ajo përfaqësonte një strukturë alternative institucionale, një mekanizëm vetëmbrojtës të popullit shqiptar, i cili, përballë presioneve politike dhe administrative, arriti të krijojë një hapësirë veprimi të qëndrueshme për arsimin shqip. Kryesia, stafi pedagogjik dhe aktivistët e saj, shpeshherë në kushte të pasigurisë profesionale dhe personale, u bënë bartës të një misioni që tejkalonte detyrimin profesional, ruajtjen e identitetit kombëtar përmes dijes.
Dokumentet e shumta të arkivuara, procesverbalet, korrespondencat zyrtare, si dhe materialet e mediave të shkruara dhe vizuele të kohës, dëshmojnë qartë se SHASH “Naim Frashëri”, Kumanovë-Likovë ishte një pikë referimi për të gjithë arsimdashësit shqiptarë. Ajo shërbeu si strehë institucionale për intelektualë, mësimdhënës dhe veprimtarë të arsimit, të cilët, të përjashtuar ose të margjinalizuar nga strukturat shtetërore, gjetën në këtë shoqatë mundësinë për të kontribuar në mënyrë të organizuar dhe legjitime.
Rëndësia historike e SHASH-it “Naim Frashëri”, Kumanovë-Likovë nuk qëndron vetëm në veprimtarinë e saj konkrete, por edhe në simbolikën që ajo përfaqëson. Ajo është dëshmi se arsimi shqip nuk u mbajt gjallë falë politikave shtetërore, por falë vetëdijes kolektive dhe sakrificës së vazhdueshme të komunitetit shqiptar. Në një periudhë kur gjuha shqipe në arsim trajtohej si problem politik, SHASH “Naim Frashëri”, Kumanovë-Likovë e shndërroi atë në çështje dinjiteti dhe në një të drejtë themelore njerëzore.

Në këtë kuptim, zëri i SHASH-it “Naim Frashëri”, Kumanovë-Likivë është zëri që politika diskriminuese nuk arriti ta heshtë. Ai mbetet një kapitull i rëndësishëm i historisë së arsimit shqip në Maqedoninë e Veriut dhe një model i qartë se si shoqëria civile, kur organizohet dhe vepron me vizion, mund të marrë rol vendimtar në mbrojtjen e të drejtave arsimore dhe kulturore të një populli.