OPINIONE

Koalicionet ndryshojnë, qëndrimi ndaj sistemit jo

Shkruan Liridon Ramadani

Që nga dita e parë Aleanca për Shqiptarët ka qenë antipod i sistemit e sistemi ka qenë gjithmonë kundër nesh.

ASH është ndërtuar si forcë kundër establishmentit, kundër kapjes së shtetit, kundër mekanizmave që kontrollojnë pushtetin pavarësisht se kush fiton zgjedhje. Kjo ka qenë konstante jonë politike, prandaj edhe në percepsion jemi pa si antipod i BDI sepse BDI ka qenë shtyllë e sistemit.

Ndarja e BDI-së në dy pjesë e përzjeu skenën politike dhe krijoi një realitet të ri.
Në vitin 2024, ne bëmë koalicion me BDI e Izetit kur ai ishte në opozitë. Në atë moment, edhe ai ishte jashtë sistemit.

Por sapo hymë në qeveri, mekanizmat e sistemit kaluan në krahun e tij. Institucionet, strukturat e vjetra, interesat e ngulitura u rreshtuan aty ku gjithmonë rreshtohet sistemi. Në atë situatë, ASH nuk kishte më hapësirë për veprim real. Qëndrimi në qeveri do të thoshte ose nënshtrim, ose heshtje. Dhe ne nuk jemi as për njërën, as për tjetrën.

Prandaj, largimi nga qeveria nuk ishte dëshirë, ishte domosdoshmëri politike dhe morale.
Më pas, përballë këtij realiteti, u krijua një situatë e re BDI e Ali Ahmetit ishin në opozitë, ndërsa sistemi ishte përballë tyre. Në këtë rrethanë, koalicioni me ta nuk ishte afrimitet me sistemin, por përballje e drejtpërdrejtë me të.

Sot, me shumë pak përjashtime, edhe pse logot mund të kenë ndryshuar, pozicioni ynë nuk ka ndryshuar.
Ne jemi aty ku kemi qenë gjithmonë,kundër sistemit dhe përballë figurave që gjithmonë kanë jetuar me të.