KUMANOVË

Në Kumanovë u mbajt panairi i zejtarëve dhe i ndërmarrësisë së vogël

Në organizim të Dhomës Rajonale të Zejtarëve – Kumanovë, në bashkëpunim me Fondacionin për zhvillim të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, me mbështetje të Komunës së Kumanovës, sot u zhvillua një ngjarje me karakter kombëtar: subvencionimi i zejtarëve të vjetër dhe panairi për ndërmarrësi të vogël.

Qëllimi i këtij manifestimi është të kontribuojë në zhvillimin e mikro, ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, të ruajë zanatet e vjetra, të nxisë frymën sipërmarrëse dhe rritjen ekonomike përmes partneriteteve të reja.

Para të pranishmëve folën Agron Fazliji, kryetar i Dhomës së Zejtarëve të RMV-së, Marjan Risteski, zëvendësministër i Ekonomisë dhe Punës dhe të tjerë. Mes të ftuarve të pranishëm ishte edhe bartësi i listës për këshilltarë nga radhët e VLEN, Skender Osmani, i cili përshëndeti ngjarjen dhe shprehu mbështetjen e tij për zhvillimin e zejtarisë dhe ndërmarrësisë së vogël në Kumanovë.

Në këtë aktivitet u shpërndanë subvencione për përfaqësuesit e zejtarive tradicionale, si dhe falënderime e pllakate nga organizatorët. Panairi për ndërmarrësi të vogël dhe zeje, me pjesëmarrjen e shumë ekspozuesve, u hap për qytetarët, të cilët patën mundësi të vizitojnë stendat dhe të blejnë produktet e preferuara.
Ky manifestim tradicional i dha nder dhe mirënjohje zejtarëve që kanë kontribuar ndër vite, duke dëshmuar se e ardhmja e zejtarisë do të mbrohet dhe do të zhvillohet me përkushtim.