
Sot në sallën solemne të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut u mbajt takimi plenar i Grupit Punues Sektorial për IPA 3 – Dritarja 3: Agjenda e gjelbër dhe ndërlidhja e qëndrueshme, me fokus në nënsektorin e energjisë.
Në këtë ngjarje morën pjesë mbi 50 përfaqësues nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare, donatorë, sektori joqeveritar dhe komuniteti i biznesit, me pjesëmarrës të tjerë që e ndiqnin takimin online.
Ngjarjen e hapi Ministrja e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale, znj. Sanja Bozhinovska, e cila prezantoi qëllimet dhe prioritetet e Ministrisë në drejtim të zbatimit të reformave për tranzicion të qëndrueshëm energjetik.
“Ne jemi duke punuar në mënyrë aktive dhe të përkushtuar për të arritur qëllimin tonë – rritjen e qëndrueshme ekonomike dhe pavarësinë energjetike të vendit. Gjatë zbatimit të politikës energjetike, ne bashkëpunojmë me ekspertë, me partnerët tanë ndërkombëtarë, ndihma e të cilëve është jetike për zbatimin me sukses të reformave, me komunitetin akademik dhe të biznesit, organizatat joqeveritare, të gjitha me synimin e transparencës dhe suksesit të planeve e projektuara.
Synimi është të kemi ide inovative dhe modernizim dhe përmirësim të shpejtë të sektorit të energjetikës. Ne do ta bëjmë këtë në mënyrë shumë transparente dhe do të jemi të drejtë me të gjithë lojtarët në këtë proces. Që do të thotë se nuk do t’i japim përparësi vetëm një kompanie, duam të jemi të hapur dhe t’u japim mundësi të barabarta të gjithëve.
Do të shtojmë hulumtimet gjeologjike për të përcaktuar mundësitë e reja për burime minerale në zona të paeksploruara më parë, por theksoj se prioritet do të jetë shëndeti i qytetarëve. Nuk do të bëjmë asgjë që nuk është në përputhje me standardet e fundit të BE-së dhe do ta dëgjojmë vullnetin e qytetarëve”, tha Bozhinovska.
IPA 3 – Dritarja 3 është një kornizë për mbështetjen financiare nga Bashkimi Evropian, dedikuar për forcimin e agjendës së gjelbër dhe sektorit të energjetikës së qëndrueshme, dhe në kuadër të këtij programi do të sigurohen burime financiare në vlerë prej 5.2 milionë euro për të mbështetur projektet për reduktimin e emetimeve të dëmshme, rritjen e efikasitetit energjetik dhe zhvillimin e burimeve të rinovueshme të energjisë.
Këto fonde janë një hap i rëndësishëm përpara drejt arritjes së objektivave të tranzicionit energjik të gjelbër. “Bashkëpunimi ndërmjet institucioneve, donatorëve dhe sektorit civil është kyç për shfrytëzimin e suksesshëm të këtyre fondeve”, tha ministrja Bozhinovska.