Historia nuk fillon në çastin kur shkruhet.
Historia fillon atëherë kur dikush guxon ta mbajë mend, ta dëshmojë dhe ta dokumentojë me fakte.
Takimi i realizuar së fundmi në Kumanovë me përfaqësuesit e Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë (IKKL) nuk ishte një takim formal e as ceremonial. Ai përbënte një akt të vonuar, por të domosdoshëm, të ballafaqimit me të vërtetën, me dhimbjen dhe me përgjegjësinë kolektive që kemi ndaj kujtesës historike shqiptare. Në një kohë kur historia rrezikon të reduktohet në data të thata dhe shifra pa fytyrë, ky takim riktheu njeriun, bukën, shtëpinë, shkollën dhe kujdesin në qendër të rrëfimit historik. Kush më mirë mund ta dëshmonte këtë realitet sesa gazetari i mirënjohur Nexhat Aqifi, i cili për dekada me radhë i ka përcjellë përmes syrit të kamerës përjetimet, vuajtjet dhe qëndresën e popullit shqiptar, si në Maqedoni ashtu edhe në Kosovë. Po ashtu, falënderoj Zotin që pata fatin të jem pjesë aktive e organizimeve qytetare, me shumë arsimdashës duke u gjendur në ballë të betejave për arsimin shqip si punëtor i arsimit, por edhe duke mos qëndruar anash në veprimtaritë humanitare me shumë veprimtar në kohë krizash ekzistenciale për popullin tonë.
Bllaca, kufiri ku u provua ndërgjegjja e shqiptarëve
Gjatë luftës së Kosovës më 1998/99, kampi i Bllacës nuk ishte thjesht një pikë gjeografike. Ai u shndërrua në një laborator të dhimbjes njerëzore, ku afro 100.000 shqiptarë u lanë mes baltës, urisë, ftohtit dhe pasigurisë, pa status ligjor dhe pa mbrojtje humane. Aty u pa qartë se sa pak vlen njeriu kur politika hesht. Por aty u pa edhe e kundërta, sa shumë vlen njeriu kur populli nuk hesht.
Brenda vetëm tri orësh, qytetarët shqiptarë të Kumanovës dhe Likovës grumbulluan mbi 40 tonë bukë dhe ndihma të tjera jetike. Mbi 20 kamionë dhe rreth 40 automjete tjera thyen kordonët policorë dhe iu afruan refugjatëve jo me deklarata, por me ushqim, ujë dhe dinjitet njerëzor. Ky veprim nuk u organizua nga ndonjë shtet. Ai u organizua nga ndërgjegjja kolektive shqiptare.
Kur shtëpitë u bënë atdhe i përkohshëm!
Një nga faktet më të rënda për nga përmasat, por edhe më madhështore për nga humanizmi, është vendosja e mbi 40.000 refugjatëve të Kosovës në familjet shqiptare të Kumanovës dhe Likovës. Pa kontrata, pa fonde, pa kamera. Vetëm me bindjen se shqiptari nuk e lë shqiptarin në rrugë.
Ky fenomen përbën një rast unik studimi për sociologjinë, antropologjinë dhe historinë humane të rajonit, por që deri më sot ka mbetur kryesisht i padokumentuar në mënyrë institucionale.
Një tjetër luftë, ajo kundër dijes
Megjithatë, kjo histori nuk fillon në vitin 1999. Ajo nis shumë më herët, në vitet ’80 dhe ’90, kur shqiptarët në Maqedoni përjetuan një formë tjetër dhune, dhunën institucionale ndaj arsimit shqip.
Kjo dhunë u manifestua përmes, mbylljes së paraleleve shqipe në vitin shkollor 1987/88, përjashtimit sistematik të shqiptarëve nga institucionet shtetërore, frikës së pushtetit të kohës nga gjuha shqipe si akt rezistence kulturore dhe politike. Në këtë kontekst, hapja e paraleleve të Gjimnazit me mësim në gjuhën shqipe më 7 tetor 1991, pa pëlqimin e pushtetit të kohës, nuk ishte një akt administrativ, por një akt i hapur politik, kulturor dhe kombëtar. Po ashtu, hapja e Fakultetit të “AB” në Kumanovë më 2008 përbënte vazhdimësinë e së njëjtës betejë, që dija të mos mbetet privilegj, por e drejtë. Sot, të gjitha këto u dëshmuan përmes dokumenteve të shkruara dhe materialeve filmike dokumentare, falë edhe bashkëpunimit të hershëm dhe të vazhdueshëm me gazetarin Nexhat Aqifi, i cili që në rininë e tij ishte i pranishëm aty ku ishte më së vështiri të depërtohej.
Njëherit angazhimi im, si kryetar i Shoqatës të Arsimtarëve Shqiptarë “Naim Frashëri” (Kumanovë–Likovë), si nënkryetar i Organizatës Humanitare “El-Hilal” në Shkup, si ish-drejtor i SHF “Naim Frashëri”, si ushtrues detyre i drejtorit të paraleleve të Gjimnazit shqip më 1991, si koordinator për hapjen e Fakultetit të “AB” më 2008 dhe si përgjegjës për përcjelljen e konvojeve humanitare drejt Bllacës dhe zonave të krizës gjatë viteve 1998–2001, po përmendim këto role përgjegjësi, pasi ishim dy dëshmitarët e kohës kur vepruam, ku me fakte e argumente dëshmuam se një rezistencë që lind atëherë kur shteti ushtron dhunë mbi popullatën e pambrojtur dhe e detyron atë të marrë fatin në duart e veta.
Dokumentet si mburojë kundër harresës!
Gjatë takimit me përfaqësuesit e IKKL-së, Kimete Haxholli, Sanije Gashi, Agron Jashari dhe Mimoza Gjivori, një pjesë e konsiderueshme e dokumentacionit autentik, përfshirë dëshmi, inserte filmike dokumentare, shkrime të kohës, fotografi dhe materiale arkivore, iu dorëzuan Institutit, nga arkivi i shkollës e TV. Festa. Jo për t’u ruajtur në sirtarë, por për t’u shndërruar në kujtesë shkencore dhe morale. Sepse një komb që nuk i dokumenton plagët e veta, rrezikon t’i përjetojë ato sërish.
Për fund, ky editorial nuk është thirrje për lavdi.
Është thirrje për kujtesë. Sepse lufta nuk përfundon kur pushojnë armët. Ajo përfundon vetëm atëherë kur e vërteta pranohet, shkruhet dhe mësohet.
Dhe nëse sot flasim për Bllacën, Kumanovën, Likovën, shkollën shqipe dhe bukën e ndarë prej gojës, e bëjmë këtë që nesër të mos flasim për to si përsëritje.
Prof. Etem Xheladini

