MAQEDONI

Ziadin Sela: Gëzuar Ditën e Flamurit Shqiptar dhe Pavarësisë së Shqipërisë!

Të dashur vëllezër e motra të gjakut e të gjuhës.

Edhe pse të ndarë në shumë shtete, e të shpërndarë në mbarë globin, sot të gjithë festojmë me të njëjtën ndjenjë krenarie e atdhedashurie. Sot shënojmë një nga datat më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare, kur nga momentet më sfiduese për popullin kanë lindur ngjarjet më të mëdha që ngritën kombin.

Nga bashkimi i fiseve e ngritja e flamurit në Krujë, nga arkitekti i kombit e shtetit Shqiptar, Gjergj Kastriot Skenderbeu, më 1443, shpallja e Pavarësisë nga Ismail Qemali më 1912, e deri tek datëlindja e heroit kombëtar, Adem Jasharit, që filloi luftën për çlirimin dhe Pavarësinë e Kosovës, 28 Nëntori është ngulitur në zemrën e çdo shqiptari si një datë e rëndësishme që çdo vit na bën krenarë për historinë e lavdishme dhe na motivon për të ndërtuar të ardhmen që ëndërrojmë e meritojmë. Kjo histori e mbushur me njerëz të guximshëm e suksesshëm, që nuk u dorëzuan, por triumfuan mbi tiranitë dhe sfidat shumë herë më të vështira se sot, duhet të na shërbejë si motiv për të qenë edhe më të vendosur përballë sfidave që kemi sot, kur ne jemi shumë herë më të fuqishëm.

Të festojmë, të mburremi, e të punojmë për të përmbushur amanetin e të parëve dhe për të ndërtuar të ardhmen tonë e të fëmijë tanë!

Gëzuar!
Zoti i bekoftë Shqiptarët dhe Shqipërinë!