KUMANOVË

Skender Osmani: Çerdhja në Çerkez do të bëhet!

Qytetarë të nderuar, pa dyshim se ju jeni vlerësuesit më të mirë për atë se kush çfarë ka premtuar, planifikuar, projektuar dhe kontribuar për qytetarët e Kumanovës.
Është e vërtetë se gjatë fushatës kemi deklaruar se në Çerkez do të planifikojmë dhe ndërtojmë çerdhe dhe asnjëherë nuk i jemi shmangur këtij premtimi.

Çerdhja në Çerkez gjithsesi do të bëhet, por asnjëherë nuk kemi thënë se kjo do të realizohet brenda 5 muajve të pjesëmarrjes në qeverisjen lokale.

Ata që për 22 vite nuk ditën as të iniciojnë kërkesë për planifikim dhe projektim për gjimnazin “Sami Frashëri” (me katër ministra të arsimit gjatë kësaj periudhe), dhe që nuk arritën të realizojnë asnjë projekt kapital për Kumanovën, sot kërkojnë nga ne që për 5 muaj t’i përmbyllim të gjitha premtimet tona programore dhe zgjedhore gjë që nuk është as reale dhe as objektive.
Në mbledhjen e Këshillit Komunal të datës 25.03.2025, pyetja ime ishte: “Kur do të aprovohet Plani i ri Gjeneral Urbanistik për qytetin e Kumanovës?”. Përgjigjja nga Kryetari i Komunës ishte: “Fillimi i vitit 2027”, ndërsa unë, si kryetar i Komisionit për Urbanizëm, mund të them se besoj që edhe më herët do ta kemi Propozim-Planin e ri Gjeneral të Kumanovës, i cili do të përfshijë planifikimin urbanistik të qytetit tonë për minimum 15 vitet e ardhshme.
Pra, bëhet fjalë për një periudhë prej rreth 7–8 muajsh nga sot, kur pritet të kemi Propozim-Planin e ri Gjeneral të qytetit, në të cilin pa dyshim do të parashihet për vendbanimin e Çerkezit minimum një çerdhe (me gjasë edhe dy, në përputhje me rregulloret për planifikim).
Domethënë po flasim për disa muaj pritje për shpalosjen publike të Planit të ri Gjeneral,dhe jo për 22 vite të nderuar qytetarë. Aty do të shihet qartë kush e thotë të vërtetën dhe kush manipulon opinionin për përfitime politike.
Përndryshe të nderuar , është vërtet e vështirë kur duhet t’i shpjegosh një këshilltari pa njohuri elementare nga arkitektura dhe urbanizmi termat profesionale urbanistike, dhe aq më tepër të debatosh për mënyrën se si fillon planifikimi i një objekti, e lëre më pastaj projektimin dhe fazat deri në ndërtim.
Komisioni për Urbanizëm pranë VLEN / Dega Kumanovë, të gjithë Programin Zgjedhor (pjesën që mbulon urbanizmin dhe arkitekturën), rrjedhimisht edhe premtimet zgjedhore, i ka bazuar në Planin e ri Gjeneral Urbanistik (i cili pritet së shpejti të jetë valid).
Nga e gjithë çka thamë më sipër, ne mbetemi fuqishëm pas premtimeve tona, të cilat synojmë jo vetëm t’i realizojmë, por edhe t’i tejkalojmë.
Këshilltarit në fjalë i themi se atë që ne e planifikojmë dhe e realizojmë, ju as në ëndërr nuk e shihni.
Lëshojeni zemrën dhe thoni “Punë e mbarë” ose “Përhajr”, kur bëhen punë të mira për qytetarët , sepse aty do të mësojnë edhe fëmijët tuaj. Mos u merrni me “filma vizatimorë”, kur e dini mirë se si e keni lënë qytetin për 20 vite. Ju nuk e keni këtë të drejtë.
Eshtë mirë ti tregoni qytetarëve pse deri më sot nuk keni thënë asnjë fjalë të mirë:
– Për gjimnazin e ri “Sami Frashëri”, i cili u planifikua, u projektua nga ne dhe po financohet nga qeveria dhe në shtator pritet të lëshohet në përdorim.
– Për shkollën e vjetër “Bajram Shabani” (ish “Profesor Mijalkoviq”), për të cilën tashmë ka filluar projekti për ndërtimin e objektit të ri, me sipërfaqe rreth dyfish më të madhe se ekzistuesja;
– Për vendosjen e mbishkrimeve edhe në gjuhën shqipe në zyrat e Komunës, për cilat fatkeqësisht nuk pat ndonji reagim nga ju.
– Për rrugët që u tamponuan, u betonuan dhe u asfaltuan, duke ua lehtësuar jetën qytetarëve;
– Dhe për shumë projekte të tjera, të cilat janë protokolluar zyrtarisht në Komunë si prioritete të VLEN 2025–2029.
Shfrytëzoj rastin t’ju informoj se pyetja ime e dytë në po atë mbledhje ishte për mundësinë e riemërtimit të disa rrugëve të qytetit me emrat e veprimtarëve kumanovarë nga fusha të ndryshme, si: arti, arsimi, kultura dhe sporti si :
Jonuz Jonuzi (atlet, kampion në ish-Jugosllavi),
Naim Latifi, dhe Luan Rushiti kontribues ne arsim e kulturë
Sefedin Nuredini, artist
prof. dr. Ramiz Abdyli dhe shumë të tjerë, emrat e të cilëve do të përpilohen nga një komision i posaçëm.
Ky propozim pati dakordësinë e plotë të Kryetarit të Komunës dhe besojmë se së shpejti do të konkretizohet.
Pyetjet nga këshilltarja Akime Nasufi Rexhepi ishin
1.,, …për krijimin e qendrave sensoriale , për fëmijë me pengesa në zhvillim ,, dhe
2.,,…për hapjen e hyrjes nga prapa , nga fushat sportive për nxënësit e Sh.F.Naim Frashëri …,, cilat gjithashtu u pranuan me dakordësi të plotë nga kryetari i komunës .
Si përfundim, të nderuar qytetarë, gjatë gjithë kohës jemi munduar të ju informojmë për aktivitetet tona përmes rrjeteve sociale, dhe kështu do të vazhdojmë edhe në të ardhmen.

GJITHMONË NË SHËRBIMIN E QYTETARËVE!

Me respekt,
VLEN / Dega Kumanovë