Shkruan: Ardita Sinani, Kryetare e Komunës së Preshevës
Më 29 korrik 2025, Komuna e Preshevës ka pranuar një përgjigje zyrtare nga Ministria e Punëve të Brendshme të Republikës së Serbisë në lidhje me kërkesën tonë për hapjen e vendkalimit kufitar Miratoc–Llojan. Kjo kërkesë është paraqitur më 19 maj 2025 dhe bazohet në një sërë marrëveshjesh dhe protokolesh të nënshkruara ndërmjet Republikës së Serbisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Sipas MPB-së së Serbisë, arsyeja kryesore për mosfunksionalizimin e këtij vendkalimi qëndron në faktin se “rruga kalon përmes fshatit Miratoc” dhe se “mungojnë kushtet infrastrukturore për kontrollin kufitar”. Ky arsyetim është jo vetëm i paqëndrueshëm, por edhe i papranueshëm.
Në të gjithë rajonin, madje edhe në kufirin ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, ekzistojnë vendkalime që kalojnë nëpër apo pranë vendbanimeve. Rasti më i afërt dhe më i qartë është ai i vendkalimit “Dheu i Bardhë”, ku rruga kalon nëpër fshatrat Lluçan dhe Konçul, pa krijuar asnjëherë pengesë për funksionimin e pikës kufitare.
Prandaj, është e drejtë të shtrohet pyetja: Përse janë nënshkruar marrëveshja e 16 dhjetorit 2019 në Shkup, protokolli i 22 shkurtit 2023 dhe janë emëruar anëtarët e Komisionit të përbashkët, nëse që në fillim ishte e ditur se rruga kalon nëpër vendbanim?
Kjo situatë dëshmon se problemi nuk është teknik, por politik. Në takime të mëhershme me përfaqësues të Trupit Koordinues dhe Ministrisë për Administratë Lokale, është pretenduar se vonesat vinin nga pala maqedonase. Tashmë, vetë Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë zyrtarisht konfirmon të kundërtën: pengesat burojnë nga ana serbe.
Si komunë, nuk do të tërhiqemi nga kjo çështje. Do të vazhdojmë të ushtrojmë presion institucional dhe diplomatik për ta çuar përpara një projekt që është në interes të drejtpërdrejtë të qytetarëve të Preshevës dhe të gjithë rajonit.
Hapja e vendkalimit Miratoc–Llojan nuk është vetëm një kërkesë lokale – ajo është një nevojë për zhvillim, një kërkesë për lëvizje të lirë dhe një hap drejt bashkëpunimit ndërkufitar më të qëndrueshëm. Është një e drejtë që buron nga vetë dokumentet që institucionet shtetërore e kanë nënshkruar.
Në një kohë kur rajoni përballet me sfida të mëdha, shteti serb duhet të tregojë pjekuri dhe përkushtim institucional ndaj premtimeve të dhëna dhe marrëveshjeve të firmosura. Çdo vonesë apo zvarritje e mëtejshme vetëm sa e thellon mosbesimin, ndërlikon bashkëjetesën dhe pengon zhvillimin.
Nëse ekziston vullneti politik, atëherë zgjidhjet infrastrukturore janë lehtësisht të realizueshme. Nëse mungon vullneti, atëherë kemi të bëjmë me një problem shumë më të thellë – një problem që kërkon reagim të menjëhershëm jo vetëm nga institucionet vendore, por edhe nga partnerët ndërkombëtarë.

