Protesta e paralajmëruar nga Organizatat e Luftës në Kosovë dhe Maqedoni, në mbrojtje të udhëheqësve të UÇK-së të Kosovës, është një ngjarje e cila jo vetëm që duhet mbështetur, por që nuk guxon të manipulohet për qëllime politike nga asnjë krah politik.
Ky është një moment historik, dhe është jetike që të ruhet thelbi i saj kombëtar, pa i dhënë nuanca partiake. Protesta është një çështje që prek interesat më të shenjta të kombit shqiptar dhe nuk mund të përdoret për përfitime të ngushta politike, të cilat i bëjnë dëm jo vetëm vlerave, por edhe unitetit kombëtar. Një nga arsyet kryesore pse duhet mbështetur kjo protestë është ndikimi i saj në skenën ndërkombëtare. Mesazhet që do të përcillen në këtë protestë do të kenë një jehonë më të madhe sesa ato të transmetuara nga Prishtina apoTirana, për arsye të njohura të lidhjeve dhe marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Kosovës. Ndikimi pozitiv i protestës në Shkup mund të jetë shumë më i madh se ai në Tiranë, për shkak të rëndësisë që ka ky qytet në kontekstin politik dhe të sigurisë në rajon. Po ashtu, ndjenjat kombëtare shqiptare janë më të theksuara në këtë protestë që është quajtur KOMBËTARE . Thënia “Skënderbeu në Tiranë, Prishtinë e Shkup” merr një kuptim të veçantë, sepse ky trekëndësh funksionon si një simbol i unitetit kombëtar shqiptar që është i pa ndashëm, dhe është i pamundur të pengohet nga politikat nacionaliste të Maqedonisë apo Serbisë. Ky është një moment kur shqiptarët duhet të qëndrojnë të bashkuar, pavarësisht nga ndarjet politike. Fatkeqësisht, si shumë herë gjatë historisë, shqiptarët po përçahen edhe kur është fjala për mbrojtjen e vlerave kombëtare. Kjo bëhet kryesisht për shkak të shpirtngushtësisë dhe tentativave për të politizuar çështje që janë më të shenjta se çdo ideologji partiake. Përpjekja për të lidhur UÇK-në dhe luftën për liri me çështje partiake dhe ideologjike, është një gabim i madh, sepse kjo i heq rëndësinë dhe vlerën kombëtare të këtyre ngjarjeve. Ka individë, që historikisht kanë qenë jashtë rrjedhave të veprimtarive kombëtare, dhe që tani tentojnë të ofrojnë veten si “intelektualë të shquar”, duke u përpjekur që mesazheve kombëtare t’iu veshin prefixe partiake. Ky është një qëndrim i papranueshëm dhe i dëmshëm për të ardhmen e shqiptarëve. Një tjetër aspekt shqetësues është abstenimi i Lëvizjes Vetëvendosje (VV) nga protestat në Prishtinë dhe qëndrimi i përfaqësuesve të saj në Maqedoni. Ky abstenim është një veprim i pa kuptueshëm dhe shqetësues, sepse dëmton qëndrueshmërinë e mesazhit kombëtar dhe i jep mundësi atyre që janë të lidhur me qarqe të caktuara politike të përfitojnë dhe të manipulojnë situatën. Në Maqedoninë e Veriut, reagon qeveria dhe kryeministri, i cili duke u mbështetur tek partnerët shqiptarë, ka dalë publikisht kundër protestës. Ky veprim është shqetësues dhe i paprecedent, sepse është e qartë që qeveria e Maqedonisë është e sigurt që nuk do të hasë asnjë kundërshtim nga shqiptarët, pasi tanimë ka arritur t’i ndajë dhe të krijojë një situatë ku politikanët shqiptarë në Maqedoni janë të pavendosur dhe të dobët. Protesta në Shkup, pas atyre në Prishtinë dhe Tiranë, ka një vlerë të madhe kombëtare. Ajo është një mundësi për të dërguar mesazhe të qarta se 50 vjet komunizëm nuk arritën ta ndajë shpirtërisht kombin shqiptare dhe se asnjë politikan, asnjë forcë e jashtme, nuk do të arrijë ta bëjë këtë në të ardhmen. Shqiptarët janë të lidhur nga një identitet i përbashkët dhe frymojnë si një trup, jo si orkestër e pasinkronizuar.
Kjo është arsyeja pse çdo përpjekje për të ndarë shqiptarët në baza partiake, ideologjike ose politike është jo vetëm e dëmshme, por edhe e pa mundur. Në fund, kjo protestë do të jetë masovike dhe do të tregojë forcën dhe angazhimin e shqiptarëve për mbrojtjen e vlerave të tyre kombëtare. Megjithatë, për disa individë që kanë qëndruar jashtë proceseve historike të rëndësishme të kombit shqiptar, kjo protestë nuk do të jetë një mundësi për t’u bërë pjesë në një ngjarje historike, por një tjetër mundësi për të dëshmuar që ata kanë shkruar vetes një fat të dëmshëm dhe të humbur. Nëse shqiptarët duan të mbrojnë vlerat e tyre, nëse duan të ruajnë dinjitetin dhe të ardhmen e kombit të tyre, është e domosdoshme që të jenë të bashkuar në çështjet që janë më të shenjta, pa u lënë hapësirë politizimeve dhe manipulimeve të ngushta.
Protesta është një mundësi që shqiptarët të tregojnë botës dhe njëri-tjetrit se ata janë të fortë, të vendosur dhe të bashkuar në mbrojtjen e UÇK-së dhe të drejtave të tyre kombëtare. Në këtë kuadër, protesta do të jetë jo vetëm një manifestim i forcës, por dhe një hap i rëndësishëm drejt ruajtjes së unitetit kombëtar dhe forcimit të lidhjeve mes shqiptarëve kudo që ata ndodhen.

