Imami i Xhamisë El-Hidaje në St. Gallen të Zvicrës, hafiz Mehas Alija, më 19 tetor 2026, ka mbrojtur me sukses temën e diplomës së nivelit Master në Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë, me titull “Dialogu ndërfetar në Zvicër në mes viteve 2000–2010: karakteristikat, arritjet dhe sfidat”, duke u vlerësuar me notën më të lartë.
Komisioni vlerësues përbëhej nga Prof. ass. dr. Musa Vila, kryetar, Prof. ass. dr. Lulzim Esati, anëtar, dhe Prof. ass. dr. Rexhep Suma, mentor.
Gjatë prezantimit të punimit, kandidati Mehas Alija paraqiti qëllimet, rezultatet dhe përfundimet kryesore të hulumtimit, duke vënë në pah zhvillimin e dialogut ndërfetar në Zvicër gjatë periudhës 2000–2010 dhe rolin e komunitetit musliman në këtë proces.
Punimi analizon në mënyrë shkencore format dhe metodat e dialogut ndërfetar, veprimtarinë e aktorëve dhe institucioneve përkatëse, si dhe kontributin e komuniteteve muslimane, qendrave islame dhe imamëve shqiptarë në ndërtimin e marrëdhënieve ndërfetare. Një vëmendje e veçantë i kushtohet arritjeve të dialogut, sfidave me të cilat është përballur dhe kufizimeve të tij gjatë periudhës së studiuar.
Pas prezantimit, anëtarët e komisionit e përgëzuan kandidatin për zgjedhjen e temës dhe punën e realizuar, duke i dhënë gjithashtu sugjerime dhe këshilla për zhvillimin e mëtejshëm të kësaj fushe studimore. Në përfundim, komisioni e vlerësoi punimin me vlerësim të shkëlqyer.
Mehas Alija shërben si imam në Xhaminë El-Hidaje në St. Gallen që nga viti 2012. Krahas veprimtarisë së tij fetare, edukative dhe publicistike, ai është angazhuar për një kohë të gjatë në përfaqësimin institucional të muslimanëve shqiptarë në Zvicër.
Nga viti 2017 deri në vitin 2026, Mehas Alija ishte kryetar i Komunitetit Musliman Shqiptar në Zvicër (KMSHZ) për dy mandate, duke kontribuar në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet bashkësive islame shqiptare, përfaqësimin e komunitetit musliman dhe zhvillimin e dialogut me institucionet dhe shoqërinë zvicerane.
Mbrojtja e suksesshme e temës së masterit përbën një arritje të rëndësishme akademike për Mehas Alijan dhe një kontribut në studimin e dialogut ndërfetar, bashkëjetesës dhe rolit të komunitetit musliman në shoqërinë zvicerane.
Redaksia e “Islampress” i uron imamit Mehas Alija suksese të mëtejshme në rrugën e dijes, në veprimtarinë akademike dhe në shërbim të komunitetit. / Islampress /

