KUMANOVË

KUR SHKATËRROHET ARSIMI, KULTURA, E TRADITA SHUHET NJË KOMB

Shkruan: Etem Xheladini

(Si po zhbëhen me vetëdije arsimi, kultura dhe tradita shqiptare)

Në emër të një demokracie të keqkuptuar dhe të një “modernizimi” pa identitet, shqiptarët sot po përballen me një nga krizat më të rënda historike, kolapsin e arsimit, degradimin e kulturës dhe zhbërjen sistematike të traditës kombëtare.
Tradita të huaja, të importuara pa filtër e pa kriter, kanë depërtuar thellë në shoqërinë tonë, si nga Perëndimi ashtu edhe nga Lindja, duke e shtyrë kulturën shqiptare drejt margjinalizimit, talljes dhe përbuzjes. Ajo që dikur ishte vlerë, sot etiketohet si “prapambetje”, kjo nuk është rastësi.
Armiqtë shekullorë të shqiptarëve e kanë kuptuar prej kohësh një të vërtetë themelore, një popull nuk shkatërrohet fillimisht me armë, por me shkatërrimin e arsimit dhe kulturës së tij. Pikërisht këtu ka nisur goditja. Fundi i viteve ’80-ta dhe fillimi i viteve ’90-ta shënuan një ndër fazat më të errëta për arsimin, kulturën e traditën shqiptar në trojet etnike, u mbyllën shkollat e mesme, u shkatërruan institucionet e arsimit të lartë dhe u godit kultura dhe traditat kombëtare se dhe mendimi kritik. Pushtetarët e pushteteve të armiqëve shekullor e asaj kohe e dinin mirë se, pasi rrënohet arsimi, kultuara e traditat e një kombi, ai shpërbëhet vetë.
Por tragjedia nuk mbaron këtu. Për realizimin e këtyre planeve u gjetën, për fat të keq, edhe bashkëpunëtorë nga radhët tona. Individë pa dinjitet kombëtar, që për një karrige, një privilegj apo një post, pranuan të shërbejnë si vegla të politikave antishqiptare. Ata nuk e tradhtuan vetëm një mandat politik, ata tradhtuan brezat.
Edhe më alarmuese është fakti se në disa raste këto resore jetike janë udhëhequr nga ministra shqipfolës, në sistemin gjoja pluralist, të cilët në vend të mbrojtjes së interesit kombëtar, e vunë arsimin, kulturën dhe traditën kombëtare shqiptare në shërbim të agjendave degraduese. Nën petkun e “shoqërisë civile”, u aktivizuan organizata të financuara fillimisht ligjërisht e më pas edhe nga fonde të dyshimta, të pakontrolluara, me një mision të qartë, çrrënjosjen e identitetit kombëtar shqiptar.

Sot, alarmi është i hapur.
Ky është momenti i fundit për t’u zgjuar nga gjumi kolektiv. Mjafton të shohim përreth, ku janë popujt e tjerë me arsimin, kulturën dhe traditën e tyre, dhe ku jemi ne? Si i organizojnë ata evenimentet kombëtare? Sa investojnë në ruajtjen e identitetit? Ndërsa ne vazhdojmë të prodhojmë harresë, përçarje dhe imitim pa bosh. Nuk mjafton më vetëm të konstatojmë degradimin. Pyetja kyçe është brutale dhe urgjente: A kemi një plan kombëtar, a kemi një strategji serioze për mbrojtjen dhe avancimin e arsimit, kulturës dhe traditës shqiptare?

Sepse, nëse vazhdohet kështu, historia do të na gjykojë rëndë. Para syve tanë, politikanë të verbuar nga interesi personal po shembin themelet e identitetit shqiptar. Dhe një komb që humb arsimin, kulturën dhe traditën, humb të drejtën për të ardhmen.