Ndërmarrja Publike “TREGU” planifikon të hap treg makinash në vendndodhjen e tregut të bagëtive në “Kojanre të poshtme”, përcjell Televizioni FESTA. Tregu në fjalë do të funksionojë të shtunave, dhe kapaciteti do të jetë nga 200 deri në 300 automjete.
“Meqenëse tregu i bagëtive nuk funksionon, hapësira është përshtatur, asfaltuar dhe shënuar për nevojat e tregut të ri. Si komuna më e madhe në rajon, ne kemi nevojë për një shërbim të tillë. Ne kemi kapacitete njerëzore dhe pa investime të mëdha do të jemi në gjendje t’u ofrojmë këtë shërbim qytetarëve. Kjo do të përmirësojë edhe gjendjen financiare të kompanisë”, tha Drejtori, Suat Zejnullahi.
Çmimet e shërbimeve do të varen nga madhësia dhe lloji i automjeteve: për skuterët elektrikë 100 denarë, për motoçikletat 150 denarë, për makinat elektrike 150 denarë, për makinat, rimorkiot dhe traktorët 300 denarë, për furgonët 350 denarë dhe për kamionët 400 denarë.

