MAQEDONI

Kërcënohet me vrasje zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut

Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Arben Fetai, ka njoftuar se është kërcënuar me vrasje nëpërmjet një emaili.

Fetai tha të enjten në Facebook se për këtë mesazh ka njoftuar ministrin e Brendshëm, Pançe Toshkovski, duke kërkuar veprim dhe shtim të masave të sigurisë.

“Emaili titullohet “PLUMB NË KOKË PËR TY SHIPO FETAI” dhe përmban këtë mesazh: “20 përqindëshi nuk do të ndryshohet, por gjithçka shiptare do t’ju vrasim me plumb në kokë. Të ngordhni, shiptar i vdekur, shiptar i mirë; vdekje për shiptarët. Nuk mund të qëndroj indiferent ndaj këtij kërcënimi. Njoftoj kërcënuesin dhe opinionin se e kam informuar personalisht Ministrin e Brendshëm, Pançe Toshkovski, duke kërkuar veprim dhe rritje të masave të sigurisë rreth personit tim. Padia është në përgatitje, pasi kërcënuesit dhe ekstremistët duhet të marrin përgjigjen e merituar: dënim me burg sipas ligjeve në fuqi”, ka thënë Fetai.

Ai tha se s’ka fuqi që na ndalon nga përgjegjësia që kemi marrë si funksionarë të koalicionit VLEN.

“Kujtoj të gjithë se gjuha shqipe nuk kërcënon asgjë dhe askënd. Gjuha është pasuri, mjet komunikimi që shërben për t’u kuptuar dhe bashkëpunuar, prandaj, asesi nuk do të lejojmë që gjuha shqipe të jetë pretekst për matrapazët e këtij soji të pengojnë punën tonë. Mbetemi të fokusuar në rrugën evropiane”, thuhet tutje në reagimin e tij.