
LSDM-ja akuzon qeverinë si fajtore për ngecjen në procesin eurointegrues gjersa vendet fqinje po hapërojnë në këtë aspiratë. Për Radio Evropën e Lirë, kreu i opozitës maqedonase Venko Filipçe thotë se subjekti i tij mbështet qeverinë mbi garancitë për të ardhmen evropiane që lidhen me kërkesën e ndryshimeve kushtetuese me efekt të prolonguar juridik, por ky propozim sipas tij nuk gjen përkrahje nga Brukseli.
“Nga BE-ja vijnë sinjale se ky propozim për ata është i papranueshëm ndërsa ne tash bisedojmë me Brukselin, me BE-në, jo me Bullgarinë, por të jem konkret, nëse qeveria arrin sukses në kuptimin e progresit dhe garancive të mjaftueshme për të ardhmen, ne këtë do ta mbështesim. Por nuk shoh se kjo mbështetet nga ana tjetër e tavolinës. Duhet të them se po humbim kohë… Tani kemi qeveri politike në Bullgari. Nuk shohim se ka nisma për takime për të përmirësuar pozitat tona. Koha kalon, Shqipëria po ec përpara, Mali i Zi e ne humbim kohë… I bëj thirrje Qeverisë që sa më shpejtë të bëjë përpjekje, të bëjë diçka që ta dimë se ku jemi.”, u shpreh kryetari i LSDM-së Venko Filipçe.
Filipçe në këtë drejtim shpreson në ndihmën e administratës së re amerikane si partnere e vendit.
“Në kuadër të marrëveshjes për dialog strategjik të gjejë një formë ku SHBA-të konkretisht mund të na ndihmojnë në pjesën e negociatave ose në zhbllokimin. Le të përpiqen që në këtë pjesë të bëjnë diçka dhe nuk dyshoj në mbështetjen që jemi duke e marrë nga SHBA-të.”, tha Filipçe.
Ligji i ri penal, Filipçe: Duhet ligj me efekt real në gjyqësor
Kreu i socialdemokratëve në intervistë mes tjerash komentoi edhe për nevojën e miratimit të Ligjit të ri Penal. Thotë se ai duhet të jetë harmonizuar me agjendën e reformave dhe misionin vlerësues.
“I apeloj qeverisë që të punojë seriozisht në ligjin tjetër që është përpunuar me përfaqësues të BE-së, Ligj të ri Penal sipas modelit gjerman, ligj që duhet të miratohet sipas rekomandimeve të Misionit Vlerësues.”, u shpreh Filipçe.
Filipçe u ndal edhe në problemet shëndetësore me theks të veçantë në onkologji. Fajëson politikën për këtë mungesë terapie, duke shtuar se në kohën e qeverisje së socialdemokratëve, ata sollën tretmanin për pacientët me sëmundje onkologjike. Në fokus të bisedës edhe zgjedhjet lokale. Filipçe potencoi se përvojat e mëparshme kanë bërë që LSDM-ja të koalicionojë vetëm me parti parimore dhe që ndajnë vlera të njëjta politike.