RAJON & BOTA

„Drejtësia nuk është opsion — ajo është parim“

Intervistë ekskluzive për Televizionin FESTA e realizuar nga Qemal Musliu, me Seid Feta Zumberi: Avokat i ardhshëm, studiues i marrëdhënieve Zvicër–BE dhe zë i gjeneratës së re shqiptare

Seid Feta Zumberi, i rritur në Zvicër me rrënjë nga Sllupçani, po mbyll ciklin e masterit në drejtësi në Universitetin e Cyrihut — me një tezë mbi njërën nga temat më të diskutuara të politikës europiane të Zvicrës. Bisedojmë me të mbi rrugëtimin e tij, pasionin e hershëm për drejtësi dhe mbi çështjet e mëdha që trajton në punën e tij akademike.
 
— Seid, ti je rritur në Zvicër me origjinë shqiptare. Kush është Seid Feta Zumberi sot?

Jam 26-vjeçar, i lindur në Walenstadt dhe i rritur në Flums, me rrënjë nga Sllupçani. Vij nga një familje me traditë të fortë akademike: tre vëllezërit e mi të mëdhenj kanë kryer studimet Master of Science në informatikë ekonomike, kurse unë dhe motra ime kemi zgjedhur drejtësinë — të dy po studiojmë ius në Universitetin e Cyrihut. Jam aktualisht duke finalizuar tezën time të masterit dhe është pa dyshim momenti më sfidues dhe njëkohësisht më pasurues i rrugëtimit tim akademik.

— Si ishte të jesh i pari në familje që zgjedh drejtësinë?

Ndjenja e drejtësisë e kam pasur gjithmonë brenda vetes — sa kohë mund të mbaj mend. Dhe për ta ilustruar me një shembull konkret, i cili edhe sot më ngjall buzëqeshje: në moshën shtatë vjeçare, kam hartuar vetë një kontratë me vëllain tim. Qëllimi i saj ishte i thjeshtë — një marrëveshje mes nesh që nuk do ta acaronim njëri-tjetrin. Por ajo që e bënte atë dokument pak të jashtëzakonshëm ishte se kisha parashikuar edhe klauzola penale: nëse njëra palë shkelë marrëveshjen, do të mbartë pasoja. E kemi nënshkruar të dy dhe e ruaj origjinalin deri sot. Mendoj se kjo tregon mjaft qartë se jam lindur për botën e drejtësisë.

— Teza jote e masterit trajton marrëdhëniet institucionale Zvicër–BE. Mund ta shpjegosh temën për publikun e gjerë?

Me kënaqësi. Teza ime analizon rregullat institucionale të paketës së re të marrëveshjeve dypalëshe midis Zvicrës dhe Bashkimit Europian — të njohura si Bilaterale III. Fokusohem në tre mekanizma kryesore: së pari, mënyra se si Zvicra do të adaptojë legjislacionin e ri të BE-së — e quajtur dynamische Rechtsübernahme; së dyti, procedura e zgjidhjes së konflikteve mes dy palëve — Streitbeilegung; dhe së treti, masat kompensatore që parashikohen nëse njëra palë nuk respekton detyrimet — Ausgleichsmassnahmen. Pyetja themelore e tezës sime është nëse ky kuadër institucional është i mjaftueshëm për të siguruar aksesin e Zvicrës në tregun e brendshëm europian — dhe nëse kjo mund të bëhet pa sakrifikuar autonominë legjislative dhe sovranitetin e vendit.

— Pse janë kaq të rëndësishme këto marrëveshje për Zvicrën?

Sepse varësia ekonomike e Zvicrës nga BE-ja është strukturore dhe e pamohueshme. Çdo ditë pune shkëmbehen mallra me vlerë mbi një miliard franga zvicerane midis Zvicrës dhe BE-së — kjo është diçka që nuk mund të zëvendësohet me asnjë marrëveshje tjetër tregtare, pavarësisht se sa tërheqëse mund të duket ideja. Studimet ekonomike tregojnë se nëse marrëveshjet dypalëshe do të binin, BIP-i real për frymën e Zvicrës do të ishte deri në 4,7% më e ulët deri në vitin 2045 — që i korrespondon një humbjeje prej rreth 5.200 frangave zvicerane në vit për çdo banor. Bilateralet janë rruga e vetme e realizueshme dhe e arsyeshme për Zvicrën — anëtarësia në BE do të sillte detyrime shumë më të mëdha, pa fleksibilitetin që ofron rruga bilaterale. 

— Disa juristë dhe akademikë ngrenë rezerva ndaj paketës. Si e komenton ti këtë?

Ky është një debat serioz dhe e respektoj çdo qëndrim të argumentuar me kujdes. Ndër zërat kritikë dallon Prof. Dr. Andreas Glaser, profesor i së drejtës shtetërore dhe europiane pranë Universitetit të Cyrihut. Aj argumenton se masat kompensatore të BE-së në rast mosmiratimi të një akti juridik cenojnë lirinë e vullnetit të lirë të votuesve sipas nenit 34 paragrafi 2 të Kushtetutës Federale — populli do të votonte de facto nën presion ekonomik.

Këtij argumenti i kundërvë pozicionin tim: kushdo që voton duhet të njohë pasojat dhe të jetë i gatshëm t’i pranojë — pavarësisht se si vendos shumica. Pikërisht kjo e bën një vendim një vendim demokratik të vërtetë. Po apo Jo: të dyja janë legjitime, me kusht që populli t’i pranojë me vetëdije pasojat. Për më tepër, masat kompensatore nuk mund të vendosen në mënyrë arbitrare — ato i nënshtrohen parimit të proporcionalitetit dhe kontrollit të gjykatës arbitrale paritare. Kjo garanton që edhe në rast mosmarrëveshjeje, kuadri ligjor mbetet i balancuar dhe i kontrolluar.

— Si e shikon të ardhmen tënde profesionale?

Pas mbarimit të masterit, qëllimi im i parë është të konsolidohem profesionalisht — të fitoj përvojë konkrete në fushën e drejtësisë, qoftë në sektorin privat, ose në atë publik. Por synimi afatgjatë është i qartë: dëshiroj të hyj në politikë, në mënyrë që njohuritë dhe përvojën time juridike t’i vë në shërbim të drejtësisë për popullin — veçanërisht për mbrojtjen e të drejtave të pakicave kombëtare dhe interesave të atyre që shpesh nuk kanë zë të mjaftueshëm në proceset vendimmarrëse.

— Një fjalë e fundit për gjeneratën e re shqiptare në Zvicër?

Do t’u thosha: investoni në arsim dhe mos u druani nga sistemi. Zvicra është një vend ku merita vlerësohet dhe ku mundësia ekziston — por mundësia nuk vjen vetë. Studioni, angazhohuni, mos e harroni kurrë komunitetin tuaj. Ne kemi nevojë për shqiptarë të pranishëm brenda institucioneve zvicerane — jo jashtë tyre. Jam krenar për të dy identitetet e mia — atë shqiptar dhe atë zviceran — dhe nuk ka arsye pse duhet të zgjedhim vetëm njërin.

Faleminderit, Seid, për këtë bisedë të hapur dhe të frytshme. Ju urojmë suksese të vazhdueshme!