Reforma në arsimin fillor dhe të mesëm parashikon kalimin e të gjitha shkollave në proces mësimor me një ndërrim të vetëm (prej orës 08:30 deri në 16:30), si dhe optimizimin e paraleleve për shkak të rënies së numrit të nxënësve.
Këtë e bëri të ditur Zëvendësministri i Arsimit, Driton Sulejmani, gjatë intervistës në podcastin “Fol” me gazetarin Nexhat Aqifi në TV Festa Kumanovë, duke sqaruar se ky objektiv është pjesë përbërëse e Strategjisë Arsimore deri në vitin 2032.
Sulejmani sqaroi se Ministria e Arsimit tashmë ka nisur procesin e optimizimit të paraleleve, i cili diktohet nga rënia e numrit të nxënësve, por që shërben edhe si bazë për kalimin në sistemin me një ndërrim.
“Ju kemi nënshtruar procesit të optimizimit të paraleleve për shkak të rënies së numrit të nxënësve, por edhe për të arritur te mësimi me një ndërrim. Qëllimi i strategjisë është që deri në vitin 2032, të gjitha shkollat fillore dhe të mesme të mësojnë në një ndërrim, nga ora 8:30 deri në ora 16:30, ku fëmijët do t’i mbajnë ligjëratat dhe aktivitetet përcjellëse,” u shpreh Sulejmani.
I pyetur se si do të zbatohet ky model në shkollat ku paralelet janë të stërmbushura, siç janë shkollat fillore “Bajram Shabani” apo “Naim Frashëri” në Kumanovë, Sulejmani pranoi se pengesa kryesore mbetet infrastruktura.
“Në rastet si shkollat ‘Bajram Shabani’ apo ‘Naim Frashëri’, ku mungon hapësira, nuk kemi mundësi ta realizojmë menjëherë. Për këtë arsye kemi afat deri në vitin 2032, që Ministria të intervenojë në aspektin infrastrukturor dhe të planifikojë hapësira të reja,” përfundoi Sulejmani.

