OPINIONE

ARSIMI DHE KAUZA KOMBËTARE, MBI TË GJITHA

Shkruan: Etem Xheladini

Kush hesht kur duhet të flasë, kush pengon kur duhet të ndërtojë, kush e shet parimin për një karrige!

Ka ardhur koha t’i themi gjërat pa doreza, pa frikë dhe pa hipokrizi. Sepse arsimi nuk është pronë e askujt. Kauza kombëtare nuk është dekor për fjalime. Dija nuk është shkallë për karrierë. Dhe përgjegjësia nuk mund të zëvendësohet me justifikime.

ATA QË VEPRONË: Në çdo shoqëri ka njerëz që e duan arsimin, e çmojnë dijen, e kuptojnë peshën e kauzës kombëtare. Dhe, mbi të gjitha, veprojnë, nuk presin poste, nuk kërkojnë duartrokitje, nuk llogarisin se çfarë përfitojnë personalisht. Kur duhet të punojnë, punojnë, kur duhet të flasin, flasin, kur duhet të sakrifikojnë, sakrifikojnë. Kur vjen momenti vendimtar, nuk fshihen pas turmës. Ata janë njerëzit që e mbajnë gjallë një kauzë. Sepse kauzat e mëdha nuk ndërtohen nga spektatorët. Ndërtohen nga njerëzit që marrin përgjegjësi.
ATA QË FLASIN, POR NUK VEPRONË: Pastaj janë ata që thonë se e duan arsimin, se e duan kombin, se e mbështesin kauzën. Por vetëm sa kohë që nuk kërkohet prej tyre asgjë. Kur vjen koha për veprim, heshtin, kur vjen koha për përgjegjësi, tërhiqen, kur vjen koha për sakrificë, mungojnë. Gjithmonë kanë një arsye, kanë një justifikim, gjithmonë presin “momentin e duhur”, por momenti i duhur nuk vjen dy herë. Le ta kuptojmë njëherë e mirë, dashuria për arsimin dhe kombin nuk matet me deklarata, maten me vepra. Nuk është patriot ai që flet më shumë, ëdhtë ai që bën më shumë. Nuk është i dobishëm ai që fshihet, është ai që është i pranishëm kur kërkohet përgjegjësi.

ATA QË PENGOJNË: Dhe pastaj kemi kategorinë më të rrezikshme, ata që nuk e duan dijen, nuk e çmojnë arsimin. Nuk e ndiejnë përgjegjësinë kombëtare, por megjithatë, duan të jenë në krye. Për ta arsimi bëhet instrument, kauza bëhet slogan, parimi bëhet pazar, dhe posti bëhet qëllim. Këtu fillon degradimi, kur injoranca takohet me arrogancën, dëmi është i madh. Kur karrierizmi maskohet me patriotizëm, dëmi është edhe më i madh. Kur interesi personal vendoset mbi interesin e arsimit dhe të shoqërisë, atëherë nuk kemi më thjesht dobësi morale, kemi një problem shoqëror, kemi një problem institucional, kemi një problem kombëtar. Dhe këta njerëz duhen qortuar publikisht, jo për mendimin e tyre, jo për bindjet e tyre. Por për dëmin që shkaktojnë kur përdorin një kauzë të përbashkët për interesa të ngushta personale. Sepse një shoqëri nuk rrënohet vetëm nga armiqtë e saj. Shpesh rrënohet nga njerëzit që nga brenda e dobësojnë atë që pretendojnë se e mbrojnë.

NJË KËSHILLË, NJË QORTIM, NJË PARALAJMËRIM
Prandaj, mjaft me hipokrizi, mjaft me patriotizëm vetëm në fjalë, mjaft me arsimin si trampolinë për karrierë! Mjaft me kauzën kombëtare si dekor për fjalime, dhe ambicie personale. Nëse e doni arsimin, punoni për të. Nëse e doni kombin, shërbejini me ndershmëri, nëse e mbështesni kauzën, sakrifikoni për të kur është e nevojshme. Mos kërkoni lavdi pa dhënë kontribut, mos kërkoni respekt pa marrë përgjegjësi. Mos kërkoni poste duke përdorur kauza që nuk i mbroni me vepra. Sepse historia është e pamëshirshme, ajo nuk regjistron vetëm fjalët. Regjistron qëndrimet, nuk kujton vetëm deklaratat, kujton veprat. Dhe brezat që vijnë nuk do të na pyesin sa bukur kemi folur. Do të na pyesin, çfar bëtë kur duhej të vepronit, ku ishit kur duhej të mbronit arsimin, çfar sakrifikuat për kauzën, a e vendosët interesin e përbashkët mbi interesin personal.
Përgjigjja e këtyre pyetjeve është ajo që mbetet.

Sepse: ARSIMI ËSHTË THEMELI., DIJA ËSHTË FUQIA, PËRGJEGJËSIA ËSHTË DETYRIM.

Dhe kauza kombëtare nuk mund të jetë kurrë më e vogël se ambicia e një individi. Prandaj, ta themi qartë dhe pa ekuivok: ARSIMI DHE KAUZA KOMBËTARE DUHET TË JENË MBI INTERESAT PERSONALE, MBI KARRIERIZMIN, MBI OPORTUNIZMIN DHE MBI ÇDO KALKULIM TË NGUSHTË. Të tjerat janë vetëm fjalë, dhe fjalët, pa vepra, nuk ndërtojnë as shkollë, as dije, as të ardhme, as komb.