MAQEDONI

Anketë e re e Market Vision, cilat janë partitë dhe liderët me përkrahje më të madhe?

Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, renditet si politikani më i besueshëm në vend, me 25,2% të besimit nga qytetarët, sipas një hulumtimi të fundit të opinionit publik të realizuar nga mkd.mk dhe agjencia Market Vision.

Pas tij, në vendin e dytë renditet lideri i BDI-së, Ali Ahmeti me 5,6% të besimit, ndërsa në mesin e tre liderëve më të besueshëm për qytetarët është edhe Izet Mexhiti me 3,9%.

Megjithatë, sondazhi tregon edhe një mosbesim të lartë ndaj politikës, pasi pjesa më e madhe e të anketuarve janë shprehur se nuk kanë besim te asnjë lider politik.

Sa i përket përkrahjes partiake, VMRO-DPMNE prin edhe në këtë aspekt, ku 24% e të anketuarve deklarojnë se do të votonin për këtë parti në zgjedhjet e ardhshme. Pas saj renditen VLEN me 5,1%, LSDM me 4,9%, BDI me 4,8%, Levica me 3,1% dhe ZNAM me 2,1%.

Nga ana tjetër, një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve – 28,1% – deklarojnë se nuk do të votojnë, ndërsa 9,7% thonë se ende nuk kanë vendosur nëse do të dalin në zgjedhje.

Rezultatet e këtij sondazhi konfirmojnë epërsinë e Mickoskit në raport me liderët e tjerë politikë, por njëkohësisht nxjerrin në pah edhe nivelin e ulët të besimit të qytetarëve ndaj skenës politike në përgjithësi.