Me emocione të veçanta, valle, këngë dhe një atmosferë festive, Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Bajram Shabani” ka shënuar 81-vjetorin e veprimtarisë së tij artistike, duke dëshmuar se tradita dhe kultura shqiptare vazhdojnë të ruhen e të përcillen nga brezi në brez, raporton TVFesta.mk.
Kryetari i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve “Bajram Shabani”, Dritan Ramadani, në një prononcim për Televizionin Festa, foli për emocionet e këtij përvjetori dhe rrugëtimin 81-vjeçar të ansamblit, i cili ndër vite ka kaluar periudha të ndryshme, me suksese, por edhe me sfida.
“81 vjet nuk kanë qenë një vijë e njëtrajtshme e aktivitetit. Ka pasur ngritje dhe rënie, varësisht nga shumë faktorë që kanë ndikuar në funksionimin e ansamblit. Por ky 81-vjetor është një shpresë e madhe dhe dëshmi se kultura shqiptare ka qenë, është dhe do të jetë edhe për shumë vite”, u shpreh Ramadani.
Një nga momentet më emocionuese të mbrëmjes ishte paraqitja e përbashkët e gjeneratave të ndryshme të ansamblit, nga fëmijët e vegjël deri te anëtarët më të moshuar, të cilët ndër vite kanë dhënë kontribut në ruajtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare.
Sipas Ramadanit, në skenë u paraqitën fëmijë të moshës 8 deri në 10 vjeç, madje edhe më të vegjël, së bashku me anëtarë të moshës 70 dhe 80 vjeç.
Ai theksoi se Ansambli “Bajram Shabani” numëron rreth 100 anëtarë aktivë, të cilët vazhdojnë të kontribuojnë në aktivitetet artistike dhe kulturore të shoqërisë.
Ky bashkim brezash, sipas tij, është dëshmia më e mirë se tradita shqiptare jo vetëm që është ruajtur për më shumë se tetë dekada, por vazhdon të jetojë edhe te gjeneratat e reja.
Përmes këtij koncerti jubilar, Ansambli “Bajram Shabani” shënoi një tjetër kapitull në historinë e tij 81-vjeçare, duke sjellë në skenë vlerat e folklorit, këngës dhe valles shqiptare.
Televizioni Festa, në bashkëpunim me Ideal Film’s, realizoi transmetimin e drejtpërdrejtë të kësaj mbrëmjeje festive, duke sjellë emocionet e koncertit edhe te publiku që e ndoqi përmes ekranit. /tvfesta

