Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka pritur në selinë e partisë çiftin intelektual nga Kumanova, Ardian Ramadani dhe Gzime Ramadani, me të cilët ka zhvilluar një takim kushtuar arsimit, kulturës dhe veprimtarisë shkencore.
Gjatë takimit, bashkëshortët Ramadani i dhuruan Ahmetit botimet e tyre më të reja. Gzime Ramadani, mësimdhënëse e gjuhës frënge në shkollën fillore të fshatit Opajë në Komunën e Likovës, prezantoi librin e saj “Gamifikimi si qasje e re komunikimi në mësimdhënien dhe të nxënit e gjuhës së huaj”, një vepër që trajton pedagogjinë, metodologjinë e mësimdhënies dhe komunikimin në procesin edukativo-arsimor.
Ndërkaq, Ardian Ramadani, përkthyes në Ambasadën e Francës në Shkup dhe hulumtues shkencor në ITSHKSH, i dhuroi kryetarit të BDI-së librin e tij më të ri me titull “Reflektime në kohë krize”.
Ahmeti i përgëzoi të dy autorët për angazhimin dhe kontributin e tyre në avancimin e dijes, arsimit dhe kulturës, duke vlerësuar se botime të tilla pasurojnë mendimin shoqëror dhe akademik në vend.
Ai u uroi Ardianit dhe Gzimes suksese të mëtejshme në veprimtarinë e tyre profesionale, shkencore dhe krijuese.

