KUMANOVË

Mexhiti dhe Kasami iu bashkuan festës së 28 Nëntorit edhe në Kumanovë

Me këngë shqipe, flamuj kuqezi dhe në një atmosferë festive, koalicioni VLEN ka përmbyllur sonte në Kumanovë aktivitetet me rastin e 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit Kombëtar, raporton tvfesta.mk.

Pas manifestimit qendror, Izet Mexhiti dhe Bilall Kasami kanë përcjellë mesazhe për rëndësinë e kësaj feste, duke vlerësuar atmosferën dhe mikpritjen e qytetarëve të Kumanovës.

Mexhiti ka theksuar se pas disa ditësh të mbushura me aktivitete kulturore dhe festive, Kumanova u zgjodh për përmbylljen e festimeve të 28 Nëntorit.

“Me këngë shqipe, flamuj kuqezi dhe entuziazmin e qytetarëve të Kumanovës, i dhamë një përmbyllje të bukur këtij Nëntori të mbushur me emocione e krenari kombëtare. Faleminderit, Kumanovë, për mikpritjen, ngrohtësinë dhe atmosferën e shkëlqyer që krijuam së bashku sonte!”, ka shkruar Mexhiti.

Ndërkaq, Bilall Kasami ka theksuar se Dita e Flamurit bart me vete amanetin e shumë gjeneratave që sakrifikuan për shqiptari.

“Vazhdojmë me përkushtim të mbrojmë këtë amanet, çdo ditë, çdo çast dhe me gjithë kapacitetin tonë”, ka shkruar Kasami.

Me manifestimin e sontëm në Kumanovë, VLEN ka përmbyllur aktivitetet festive të organizuara për nder të 28 Nëntorit. /tvfesta.mk