Në një atmosferë festive, të mbushur me emocione dhe krenari kombëtare, në Shkollën Fillore Komunale “Naim Frashëri” në Kumanovë u shënua 28 Nëntori – Dita e Flamurit Kombëtar, raporton tvfesta.mk.
Nxënësit, nën përkujdesjen e mësimdhënësve të tyre, përmes një programi kulturor dhe artistik, përcollën mesazhe të dashurisë për atdheun, ruajtjen e identitetit kombëtar dhe kultivimin e vlerave shqiptare.
Drejtori i SHFK “Naim Frashëri”, Muhamet Zeqiri, në deklaratën e tij theksoi se shkolla gjatë muajit nëntor ka zhvilluar një sërë aktivitetesh, duke marrë pjesë në gara komunale dhe republikane, si dhe duke organizuar programe të ndryshme shkollore.
“Duhet të potencoj aktivin e klasave të ulëta, të cilët me rastin e 22 Nëntorit, Ditës së Alfabetit, organizuan një program cilësor. Shfrytëzoj rastin t’u përcjell një mirënjohje të posaçme të gjitha aktiveve të klasave të ulëta”, deklaroi Zeqiri.
Ai shprehu mirënjohje të veçantë edhe për arsimtarët e gjuhës shqipe, historisë dhe artit figurativ, të cilët dhanë kontribut të jashtëzakonshëm në organizimin e programit festiv kushtuar 28 Nëntorit.
“Edhe një herë shfrytëzoj rastin që të gjithëve t’ju uroj festat e nëntorit, konkretisht Ditën e Flamurit, 28 Nëntorin”, u shpreh drejtori Zeqiri.
Një nga momentet më emocionuese të manifestimit ishte paraqitja e korit të shkollës, i cili, nën drejtimin dhe përgatitjen e arsimtarit Ramadan Osmani, emocionoi të gjithë të pranishmit me interpretimin e këngës ,Hape zemrën tënde, oj tok’ e Kosovës,priti se po t’vijn’ djemt’ e Kumanovës.”
Manifestimi dëshmoi edhe një herë përkushtimin e nxënësve dhe mësimdhënësve të kësaj shkolle në ruajtjen dhe përcjelljen e vlerave kombëtare, historike dhe kulturore shqiptare te brezat e rinj. /tvfesta

