KF Bashkimi nga Kumanova ka pësuar një humbje të papritur në terrenin vendas, duke u mposhtur me rezultat 1:2 nga KF Skopje, skuadër që renditet në pozitën e fundit të kampionatit, raporton **tvfesta.mk**.
Përballja e zhvilluar në stadiumin “Bashkimi 1947” në Kumanovë, nga e cila gjelbërzinjtë prisnin tri pikë të rëndësishme për t’u larguar nga zona e rrezikut, përfundoi me një rezultat dëshpërues për vendasit.
Pas një pjese të parë pa gola, mysafirët arritën të kalojnë në epërsi në pjesën e dytë, ndërsa Viktor Angelov me dy gola i dha Skopjes avantazhin prej 0:2.
Bashkimi tentoi të rikthehej në lojë, por gjithçka që arriti ishte ngushtimi i rezultatit në 1:2, përmes golit të Mirçevskit.
Me këtë humbje, gjelbërzinjtë ndërpresin serinë pozitive prej tri ndeshjesh pa humbje, në të cilat kishin regjistruar dy fitore dhe një barazim, duke grumbulluar shtatë pikë.
Bashkimi humbi kështu një mundësi të mirë për t’u larguar edhe më shumë nga zona e rrezikut për rënie nga liga.

