Imami i Xhamisë së Lagjes së Trimave në Kumanovë, hoxhë Eljasa Mahmudi, gjatë hytbes së sotme të xhumasë, një pjesë të ligjëratës ia ka kushtuar 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit Kombëtar dhe 114-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, raporton tvfesta.mk.
Duke iu referuar ajetit të 13-të të sures El-Huxhurat në Kuranin Famëlartë, hoxhë Mahmudi ka theksuar se çdo popull ka identitetin, gjuhën, kulturën, traditën dhe prejardhjen e vet, ndërsa dallimet ndërmjet popujve nuk duhet të bëhen shkak për urrejtje dhe armiqësi, por për njohje dhe respekt të ndërsjellë.
Në ligjëratën e tij, ai ka vlerësuar rëndësinë e festës së 28 Nëntorit, duke e cilësuar atë si një akt mirënjohjeje ndaj të gjithë atyre që kontribuuan në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë.
“Dita e Flamurit, që festohet në të gjitha trojet shqiptare dhe në diasporë, padyshim është një akt i cili duhet të vlerësohet si një falënderim, mirënjohje ndaj të parëve tanë që e ngritën flamurin, e shpallën pavarësinë dhe kombit tonë i dhanë shtet dhe identitet”, ka theksuar hoxhë Mahmudi.
Ai ka përkujtuar kontributin e Ismail Qemalit, Haxhi Vehbi ef. Dibrës, si dhe të shumë patriotëve, hoxhallarëve dhe veprimtarëve shqiptarë që kontribuan në themelimin e shtetit shqiptar.
Hoxhë Mahmudi ka bërë thirrje për ruajtjen e gjuhës shqipe, identitetit kombëtar, kulturës dhe vlerave fetare, duke nënvizuar njëkohësisht rëndësinë e respektimit të shqiptarëve të të gjitha besimeve fetare.
Gjatë hytbes, ai ka shprehur shqetësim edhe për dukuritë e islamofobisë në mesin e shqiptarëve, duke theksuar se, sipas tij, identiteti islam ka luajtur një rol të rëndësishëm në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe gjuhësor të shqiptarëve.
Në përfundim të ligjëratës, imami i Xhamisë së Lagjes së Trimave është lutur për forcimin e unitetit ndërmjet shqiptarëve, ruajtjen e interesave kombëtare dhe bashkimin e shqiptarëve në trojet e tyre etnike. /tvfesta

