Shkolla Fillore “Bajram Shabani” në Kumanovë është përfaqësuar me sukses nga dy nxënës të saj, Nexhat Latifi dhe Ledian Asllani, në manifestimin kushtuar 22 Nëntorit – Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe, raporton tvfesta.mk.
Nexhat Latifi, nxënës i klasës VI-1, është prezantuar me poezinë e tij origjinale “Udha e Shkronjave”, duke përcjellë përmes vargjeve mesazhin e rëndësisë së gjuhës shqipe dhe të Ditës së Alfabetit.
Ndërkaq, nxënësi Ledian Asllani ka arritur të fitojë vendin e dytë me punimin e tij artistik, duke u dalluar për talentin dhe kreativitetin në artin figurativ.
Përmes një njoftimi publik, shkolla “Bajram Shabani” ka përgëzuar të dy nxënësit për paraqitjen dhe suksesin e arritur, duke shprehur krenarinë për talentin dhe përkushtimin e tyre.
“Përgëzojmë nxënësit tanë për paraqitjen dhe suksesin e arritur! Jemi krenarë për talentin, guximin dhe përkushtimin e tyre!”, thuhet në njoftimin e shkollës. /tvfesta

