Me rastin e 22 Nëntorit – Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe, në Kumanovë do të organizohet një ekspozitë kolektive artistike, ku do të prezantohen veprat e 32 artistëve figurativë nga Maqedonia e Veriut, raporton tvfesta.mk.
Ekspozita, e organizuar nga Shoqata “3D Street Art” – Kumanovë, do të mbahet të dielën, më 22 nëntor 2026, me fillim nga ora 19:00, në Galerinë e Qytetit në Kumanovë.
Ky aktivitet kulturor organizohet për të nderuar një nga datat më të rëndësishme të historisë kombëtare shqiptare, duke sjellë para publikut krijimtarinë e artistëve nga vendi.
Përmes veprave të tyre, 32 artistët pjesëmarrës do të prezantojnë shprehje të ndryshme krijuese, duke e kthyer këtë ngjarje në një hapësirë takimi mes artit, kulturës dhe identitetit kombëtar.
Nga Shoqata “3D Street Art” theksojnë se qëllimi i ekspozitës është jo vetëm shënimi i Ditës së Alfabetit Shqip, por edhe përcjellja e mesazhit se arti është një gjuhë universale që bashkon njerëzit dhe kulturat.
“Përmes kësaj ngjarjeje dëshirojmë të nderojmë një nga datat më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare dhe të përcjellim mesazhin se arti është një gjuhë universale që bashkon njerëzit dhe kulturat”, thuhet në njoftimin e organizatorëve.
Organizatorët kanë ftuar artdashësit dhe qytetarët që të bëhen pjesë e kësaj mbrëmjeje kulturore dhe ta shënojnë së bashku 22 Nëntorin përmes artit dhe krijimtarisë.
Ekspozita do të hapet të dielën, më 22 nëntor, në ora 19:00, në Galerinë e Qytetit në Kumanovë. /tvfesta

