KUMANOVË

Ndërprerje të përkohshme të ujit në Kumanovë

Ndërmarrja Publike “VODOVOD” në Kumanovë ka njoftuar se për shkak të punimeve për kyçjen e objekteve në rrjetin e ri të ujësjellësit, do të ketë ndërprerje të përkohshme të furnizimit me ujë në rrugën “Mosha Pijade”, raporton tvfesta.mk.

Sipas njoftimit, punimet po zhvillohen në segmentin nga kryqëzimi me rrugën “I. L. Ribar” deri te kryqëzimi me rrugën “B. S. Gojço”, ku objektet ekzistuese po kyçen në rrjetin e rekonstruuar të ujësjellësit.

Ndërprerjet e përkohshme të furnizimit me ujë do të ndodhin gjatë procesit të shkëputjes së objekteve nga rrjeti i vjetër dhe lidhjes së tyre me rrjetin e ri.

Nga NP “Ujësjellësi” theksojnë se ndërtimi i rrjetit të ri dhe rekonstruimi i lidhjeve ekzistuese do të përmirësojnë ndjeshëm cilësinë e furnizimit me ujë për banorët e kësaj rruge.

Ndërmarrja u ka bërë thirrje qytetarëve për durim dhe mirëkuptim gjatë realizimit të punimeve.

Në njoftim nuk është specifikuar kohëzgjatja e ndërprerjeve të furnizimit me ujë. /TVFESTA