LAJME

Izet Mexhiti dhe Halil Kastrati planifikojnë ndërtimin e një shkolle për 200 fëmijë me nevoja të veçanta në Çair

Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, gjatë një vizite në Kosovë është takuar me humanistin e njohur Halil Kastrati, me të cilin ka diskutuar mundësitë e bashkëpunimit për ndërtimin e një shkolle për fëmijët me nevoja të veçanta në Çair, raporton tvfesta.mk

Bëhet fjalë për projektin “Idnina – E ardhmja”, i cili parasheh ndërtimin e një objekti bashkëkohor arsimor, me kapacitet për 200 fëmijë dhe një investim të vlerësuar në rreth 2 milionë euro.

Sipas informacioneve të publikuara nga Mexhiti, shkolla planifikohet të ketë një sipërfaqe prej rreth 2.000 metrash katrorë dhe të ofrojë kushte të përshtatshme për mësim, terapi dhe zhvillim të fëmijëve, në përputhje me nevojat e tyre individuale.

Gjatë qëndrimit në Kosovë, Mexhiti ka vizituar edhe shtëpinë e të moshuarve, ku është njohur nga afër me aktivitetet humanitare dhe punën që realizon Shoqata Bamirëse “Jetimat e Ballkanit”, e udhëhequr nga Halil Kastrati.

Në fokus të takimit ka qenë mundësia e bashkimit të përvojës dhe angazhimit humanitar të kësaj shoqate me mbështetjen institucionale të Komunës së Çairit, për të mundësuar realizimin e projektit.

Mexhiti ka theksuar rëndësinë e krijimit të kushteve më të mira për fëmijët me nevoja të veçanta, duke vlerësuar se një institucion i tillë do të ofronte mbështetje jo vetëm për fëmijët, por edhe për familjet e tyre.

Projekti “Idnina – E ardhmja” aktualisht është në fazën e diskutimeve për bashkëpunim, ndërsa synimi është që përmes angazhimit të përbashkët të institucioneve dhe sektorit humanitar të krijohen kushtet për realizimin e tij në Çair. /tvfesta