LAJME

Kurtishi: Shlyem kredinë prej 2.5 milionë eurosh, Postën e Maqedonisë e presin reforma dhe riorganizim

Drejtori i përgjithshëm i “Postës së Maqedonisë”, Orhan Kurtishi, ka bërë të ditur se gjatë mandatit të tij është arritur të shlyhet një kredi prej 2.5 milionë eurosh, ndërsa institucioni vazhdon të përballet me borxhe të akumuluara dhe vështirësi financiare.

Në podcastin “FOL” me Nexhat Aqifin në Televizionin Festa, Kurtishi foli për reformat që janë ndërmarrë në këtë ndërmarrje publike, duke veçuar investimet në automjete, riorganizimin administrativ dhe planet për racionalizimin e rrjetit postar.

“Borxhi ka qenë shumë i akumuluar dhe ende kemi probleme me të. Megjithatë, një nga arritjet e para ishte mbyllja e një kredie prej 2.5 milionë eurosh, e cila ekzistonte në tremujorin e parë kur mora mandatin”, deklaroi Kurtishi.

Ai theksoi se një tjetër hap i rëndësishëm ka qenë rinovimi i parkut të automjeteve, i cili ishte në gjendje të rënduar.

Sipas tij, automjetet e vjetra kishin arritur në atë gjendje sa shpenzimet për riparimin e tyre në disa raste ishin më të larta sesa blerja e automjeteve të reja.

Kurtishi foli edhe për mbingarkesën administrative, duke theksuar se është realizuar një analizë funksionale dhe janë ndërmarrë masa për uljen e peshës së administratës.

“Kemi konstatuar se Posta përballet me një administratë shumë të stërngarkuar. Kemi arritur ta zvogëlojmë për gati 8 për qind nga numri që më parë ishte 37 për qind”, tha ai.

Drejtori i Postës bëri të ditur se tashmë institucioni ka hyrë në fazën e dytë të reformave, që përfshin sistematizimin e vendeve të punës dhe riorganizimin e rajoneve postare.

Ai shpjegoi se këto ndryshime lidhen edhe me kërkesat e agjendës reformuese të Bashkimit Evropian.

Sipas Kurtishit, plani i paraqitur nga eksperti që ka punuar për rreth tre muaj në institucion parashikon zvogëlim prej 10 deri në 15 për qind gjatë vitit 2026 dhe një ulje shtesë prej 10 për qind gjatë vitit 2027.

Aktualisht, Posta e Maqedonisë ka rreth 330 pika postare në territorin e vendit, një pjesë e të cilave, sipas tij, nuk janë profitabile dhe shkaktojnë humbje financiare.

“Nëse arrijmë ta implementojmë këtë plan, besoj se Posta së shpejti mund të rikthehet në gjendjen që duhet dhe të jetë e aftë të mirëmbahet financiarisht, sepse aktualisht ende nuk kemi arritur vetëqëndrueshmëri financiare”, përfundoi Kurtishi. /tvfesta