Në kuadër të festave të Nëntorit, kryetari i Komunës së Likovës, Erkan Arifi, së bashku me nxënësit e klasës së nëntë të SHFK “Anton Zako Çajupi” nga fshati Hotël, kanë realizuar një vizitë në Muzeun e Alfabetit të Gjuhës Shqipe në Manastir, raporton tvfesta.mk.
Vizita është organizuar në bashkëpunim ndërmjet Shoqatës Edukative “Vllaznia” dhe Komunës së Likovës, me qëllim njohjen e nxënësve nga afër me historinë e Kongresit të Manastirit dhe rëndësinë e tij për unifikimin e alfabetit të gjuhës shqipe.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, kryetari Arifi ka theksuar rëndësinë e kësaj vizite për ruajtjen e historisë, gjuhës dhe identitetit kombëtar.
“Në kuadër të festave të Nëntorit, sot vizituam qytetin e Manastirit, djepin e historisë dhe të gjuhës sonë, ku ndodhet Muzeu i Alfabetit të Gjuhës Shqipe. Së bashku me nxënësit e klasës së IX-të patëm rastin të rikujtojmë nga afër historinë e Kongresit të Manastirit, sakrificën dhe përkushtimin e rilindësve tanë për unifikimin e alfabetit shqip”, ka shkruar Arifi.
Ai e ka cilësuar këtë vizitë si një ditë të veçantë, të mbushur me histori, krenari kombëtare dhe emocione.
“Një ditë e mbushur me histori, krenari kombëtare dhe emocione, që na kujton se gjuha shqipe është një nga thesaret më të çmuara që kemi. Ta duam, ta ruajmë dhe ta përcjellim brez pas brezi gjuhën tonë të bukur shqipe!”, ka përfunduar kryetari i Likovës.
Ky aktivitet edukativo-kulturor synon të afrojë brezat e rinj me trashëgiminë historike dhe kulturore shqiptare, në prag të shënimit të Ditës së Alfabetit Shqip, më 22 Nëntor. /tvfesta

