Orhan Kurtishi nga koalicioni VLEN ka reaguar ndaj Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në Kumanovë, duke e akuzuar këtë subjekt politik për shpifje dhe manipulim të opinionit publik lidhur me pranimin e mjekëve specializantë në Spitalin e Kumanovës, raporton tvfesta.mk.
Përmes një reagimi publik, siç informon tvfesta Kurtishi ka deklaruar se në Spitalin e Kumanovës pritet të pranohen gjithsej 23 mjekë specializantë, prej të cilëve 13 shqiptarë, 8 maqedonas dhe 2 nga komunitetet e tjera.
“Shpifjet nuk kanë të ndalur! Edhe në këtë rast, BDI-ja nuk po e paraqet të vërtetën, por po përpiqet të manipulojë opinionin publik”, ka shkruar Kurtishi.
Sipas tij, këto të dhëna hedhin poshtë pretendimet e BDI-së lidhur me përfaqësimin e shqiptarëve në institucionin shëndetësor të Kumanovës.
“Përballë fakteve, propaganda bie. Para fakteve duhet të heshtni!”, ka përfunduar reagimin e tij Orhan Kurtishi.
Reagimi vjen në kuadër të përplasjeve politike ndërmjet VLEN-it dhe BDI-së në Kumanovë, kësaj radhe lidhur me punësimet dhe përfaqësimin e shqiptarëve në sektorin e shëndetësisë. /tvfesta

