LAJME

Nga nesër pajisjet dimërore bëhen të detyrueshme për të gjitha automjetet

Duke filluar nga nesër, 15 nëntor, të gjithë drejtuesit e automjeteve në Maqedoninë e Veriut do të jenë të detyruar të posedojnë pajisje dimërore, në përputhje me dispozitat ligjore për sigurinë në komunikacion, raporton tvfesta.mk.

Ky detyrim do të jetë në fuqi deri më 15 mars 2027 dhe vlen për të gjitha automjetet që marrin pjesë në komunikacionin rrugor, pavarësisht kushteve atmosferike.

Për automjetet e udhëtarëve deri në 3.5 tonë, pajisjet dimërore përfshijnë goma dimërore në të katër rrotat, me thellësi minimale të profilit prej 4 milimetrash. Si alternativë, lejohen edhe gomat verore me thellësi të njëjtë minimale të profilit, me kusht që drejtuesi të ketë zinxhirë bore të përshtatshëm për rrotat lëvizëse.

Për automjetet me peshë mbi 3.5 tonë zbatohen kërkesa shtesë për pajisjet dimërore, sipas kategorisë së automjetit.

Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të automjeteve që të kontrollojnë gjendjen e gomave dhe të sigurojnë pajisjet e nevojshme përpara nisjes në rrugë, me qëllim parandalimin e aksidenteve gjatë sezonit dimëror.

Drejtuesit që nuk respektojnë detyrimin ligjor për pajisjet dimërore rrezikojnë sanksione sipas dispozitave në fuqi. /tvfesta