KUMANOVË

“Po e bëjmë punën e institucioneve pa asnjë pagesë” Ramadani: Institucionet duhet ta mbështesin Ansamblin Bajram Shabani

Kryetari i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve “Bajram Shabani”, Dritan Ramadani, ka bërë thirrje për mbështetje më të madhe institucionale ndaj veprimtarisë kulturore shqiptare, duke theksuar se artistët e ansamblit punojnë vullnetarisht, pa paga dhe pa kompensime financiare, raporton TVFesta.mk.

Në një prononcim për Televizionin Festa, gjatë shënimit të 81-vjetorit të ansamblit, Ramadani theksoi se sukseset e kësaj shoqërie kulturore-artistike nuk janë meritë e një individi, por rezultat i përkushtimit të artistëve, bashkëpunëtorëve dhe dashamirëve të kulturës shqiptare.

“Trimi i mirë me shokë shumë. Nuk është meritë vetëm e imja. Unë vetëm i organizoj këta artistë, të cilët punojnë me përkushtim shumë të madh dhe në mënyrë vullnetare. Asnjëri prej tyre nuk merr as rrogë, as pagesë. Gjithçka që shihni është bërë me vetëkontribut”, deklaroi Ramadani.

Ai shprehu mirënjohje edhe për bizneset dhe dashamirët e ansamblit, të cilët, pavarësisht vështirësive ekonomike, vazhdojnë të ndihmojnë në realizimin e aktiviteteve kulturore.

Megjithatë, Ramadani ngriti shqetësimin për mbështetjen e pamjaftueshme institucionale, duke theksuar se një ansambël me rreth 100 anëtarë aktivë përballet me shpenzime të konsiderueshme, veçanërisht gjatë organizimit të koncerteve dhe manifestimeve të mëdha.

“Institucionet na ndihmojnë, nuk mund të them se nuk na ndihmojnë, por duhet të kujdesen më shumë për ne. Ne po e bëjmë punën e institucioneve, qofshin ato komunale apo qendrore. Këtë punë po e bëjmë me përkushtim dhe me njerëz profesionistë, të cilët meritojnë shumë më tepër mbështetje”, u shpreh ai.

Kreu i ansamblit theksoi se në koncertin jubilar ishin të pranishëm edhe përfaqësues të pushtetit lokal dhe atij qendror, duke shpresuar se ata do ta vlerësojnë rëndësinë e veprimtarisë së kësaj shoqërie kulturore-artistike.

Ramadani veçoi pjesëmarrjen e fëmijëve dhe të rinjve nga Kumanova, duke rikujtuar se vetëm në fillim të programit artistik u paraqitën rreth 50 fëmijë, ndërsa më pas në skenë dolën edhe dhjetëra artistë të tjerë.

Sipas tij, kjo pjesëmarrje masive dëshmon se ansambli nuk është vetëm një organizatë artistike, por edhe një hapësirë ku gjeneratat e reja mësojnë dhe kultivojnë traditat, këngët dhe vallet shqiptare.

“Shpresoj që ky manifestim kaq i madh të bjerë në sy të mirë. Sa më shumë të na përkrahin institucionet, aq më të mira dhe më cilësore do të jenë programet tona”, përfundoi Ramadani.

Koncerti jubilar me rastin e 81-vjetorit të Ansamblit “Bajram Shabani” u transmetua drejtpërdrejt nga Televizioni Festa, në bashkëpunim me Ideal Film’s, duke sjellë para shikuesve një mbrëmje të pasur me këngë, valle dhe tradita shqiptare.